Katër persona janë arretuar këtë të premte në Tepelenë. Të arrestuarit janë identifikuar si Ilir Dura, Franci Dura (babë e bir) dhe Mehemet Mino e Reshat Bakia.
Babë e bir, banues në fshatin Bënçë të Tepelenës u arrestuan pasi në makinën me të cilën po lëviznin u gjetën 3 thasë me kanabis.
Gjithashtu, u kap dhe Mehemet Mino, 27 vjeç, që lëvizte me automjetin tip “BMW”, i cili monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë si dhe Reshat Bakia, pasi qarkullonte pas automjetit me lëndë narkotike, me automjet tjetër ku mbante një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, me qëllim shitjen.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore në kuadër të operacionit policor të koduar “Monitorimi”, në aksin rrugor “Bënçë-Tepelenë”, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit I. D., 54 vjeç dhe F. D., 19 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Bënçë, pasi në automjetin me drejtues shtetasin I. D. dhe pasagjer shtetasin F. D., në urën e Bënçës, Tepelenë, u gjetën 3 thasë me rreth 30 kilogramë cannabis sativa.
Gjithashtu, u kap shtetasi M. M., 27 vjeç, që lëvizte me automjetin tip “BMW”, i cili monitoronte rrugën ku kalonte automjeti me lëndën narkotike, me qëllim shmangien e shërbimeve të Policisë.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale kanë kapur dhe arrestuar edhe shtetasin R. B., 27 vjeç, pasi qarkullonte pas automjetit me lëndë narkotike, me automjet tjetër ku mbante një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, me qëllim shitjen.
Veprimet procedurale janë kryer nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.