SPAK ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 30 maj 2020, ku rreth orës 22:35 një sasi e dyshuar lëndë plasëse shpërtheu përballë Qendrës Spitalore Nënë Tereza në Tiranë.
Tritoli ka shpërthyer në hotel “Viktoria” në pronësi të shtetasit Luan Mata, i cili është babai i Ervin Matës.
Sipas SPAK pas ngjarjes qëndron Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.
Sipas SPAK, Ramazan Rraja ka siguruar një automjet tek njohjet e tij shoqërore në Durrës dhe ka dërguar një nga të afërmit e tij për ta marrë makinën për të realizuar hedhjen e sasisë së eksplozivit në hotel “Victoria”.
“Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të mëposhtme:
“Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 152/1 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë) dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve shpërthyese”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 278/5 dhe 25, të Kodit Penal (lidhur me episodin e datës 30.05.2020, ndodhur në Tiranë)”, informon SPAK.
“Ka rezultuar se i pandehuri Ramazan Rraja, është njëri nga personat që ka kërkuar dhe siguruar një automjet, tek njohjet e tij shoqërore në Durrës, dhe në vijim ka dërguar një nga të afërmit e tij me qëllim për ta marrë këtë automjet, dhe për të realizuar hedhjen e sasisë së lëndës eksplozive, në hotel “Victoria” Tiranë, në pronësi të shtetasit Luan Mata, ngjarje e ndodhur më datë 30.05.2020, ora 22:35. Lidhur me këtë episod i pandehuri Ramazan Rraja akuzohet se e ka kryer veprën penale në bashkëpunim me të pandehurit Plaurent Dervishaj dhe Juljan Mecaj.”
Kush është Ervin Mata
Ervin Mata u shpall në kërkim më 21 nëntor 2023 pas zbërthimit të mesazheve në aplikacionin Sky ECC.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan Erzen Breçani.
Mes të arrestuarve ishte edhe shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni.
Mata është një emër i njohur për policinë, për shkak të ngjarjes së 4 tetorit në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Elio Hato.
Për këtë ngjarje, Mata u shpall në kërkim nga policia në atë kohë. Mata u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës në 2 Mars 2019 pas disa muajsh në kërkim.
Atëherë gjatë marrjes në pyetje tha se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës.
Gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur dy herë në muaj në Prokurori ndërsa prokuroria kërkoi arrest me burg mbi Matën.
Në Qershor të vitit 2021, ai u dënua me 6 muaj burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul 1/3 e dënimit dhe Mata u dënua me 4 muaj burg që u konvertua në 100 ditë pune në interes publik.
Në atë kohë u tha se përplasja mes tyre nisi për çështje rozë, por gjithmonë ka pasur dyshime se janë përplasur për një shumë të madhe parash të paligjshme.
Në 30 Maj të 2020 atij iu vendos një sasi eksplozivi te hoteli në afërsi të QSUT. Po ashtu Mata është lakuar si i përfshirë në çështjet e trafikimit ndërkombëtar të drogës.
/vizionplus.tv