BRITANI E MADHE – Pas një hetimi ndaj një grupi të sofistikuar shqiptar të krimit të organizuar, katër burra me kombësi shqiptare janë dënuar me burgim. Ata akuzohen për imigrim të paligjshëm dhe kultivim të kanabisit.
Sipas medieve të huaja bëhet fjalë për Dritan Meta, 43 vjeç, Ilir Kodra, 49 vjeç, Refik Skepi, 45 vjeç dhe Visar Elezaj, 39 vjeç.
Në një seancë dëgjimore në Gjykatën e Reading Crown të martën, 3 shtator, kreu i grupit Meta, u dënua me gjithsej 11 vjet burg, ndërsa Skepi u dënua me 6 vjet burg.
Kodra u burgos me 4 vjet e 7 muaj, ndërsa Elezaj me 3 vjet e 6 muaj.
Hetimi filloi në prill 2022, kur oficerët u informuan për kultivim të kanabisit në shkallë kombëtare.
Pikërisht gjatë këtij hetimi u zbuluan provat rreth transportimit të emigrantëve nga Dunkirk në Francë në Britani të Madhe, duke përdorur varka të vogla.
Hetimi për kultivimin e drogës zbuloi se Meta, Skepi dhe Elezaj kishin marrë kontrollin e një njësie të madhe industriale në South Fambridge në Essex.
Gjatë këtij kontrolli, u zbulua një fabrikë kanabisi shumë e sofistikuar ku kultivoheshin rreth 1000 bimë.
Vlera e drogës arrinte 1.3 deri në 1.6 milion paund.
/vizionplus.tv