Pentagoni nën ethet e ndryshimit, Trump thellon fitoren në Dhomën e Përfaqësuesve

9 hours ago 18

Partia Republikane e presidentit të zgjedhur Donald Trump ka siguruar një shumicë prej 218 vendesh edhe në dhomën e përfaqësuesve duke e forcuar më shumë administratën që do të marrë detyrën në muajin janar.

Një fitore e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve në Arizona, së bashku me një sukses tjetër në Kaliforni këtë të mërkurë, do të ndihmojnë Trump të çojë përpara agjendën e tij legjislative.

Republikanët kanë fituar bindshëm Shtëpinë e Bardhë, kanë rifituar shumicën në Senat, kështu që triumfi i tyre në Dhomën e Përfaqësuesve iu siguron atyre faktorin e tretë kyç qeverisës.

Presidenti i zgjedhur Trump ka filluar tashmë të projektojë administratën e re duke zgjedhur emrat që do të qëndrojnë në krye të posteve të rëndësishme, përfshirë Marco Rubion, si sekretar të shtetit.

Trump pritet të bëjë ndryshime të mëdha edhe në Pentagon, pas zgjedhjes së sekretarit të ri të mbrojtjes një ditë më parë, moderatorit televiziv, Pete Hegseth.

Sipas mediave, anëtarët e ekipit të tranzicionit po hartojnë një listë të oficerëve ushtarakë që do të shkarkohen, përfshirë Shefat e Shtabit, në atë që do të ishte një tronditje e paprecedentë për selinë e mbrojtjes së SHBA.

Shefat e Përbashkët të Shtabit përfshijnë oficerët e rangut më të lartë në ushtrinë amerikane, si krerët e Ushtrisë, Marinës, Forcave Ajrore, Gardës Kombëtare dhe Forcave Hapësinore.

Megjithatë një gjë e tillë nuk është ende e konfirmuar zyrtarisht./vizionplus.tv

Read Entire Article