Policia ka reaguar zyrtarisht lidhur me flakët që kanë përfshirë fabrikën e plastikës në zonën e ish-Metalurgjikut, në Elbasan.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Ndërkohë, deri në këto momente nuk raportohet për të lënduar.
Forca të shumta zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për të vënë nën kontroll dhe shuar flakët masive që kanë përfshirë këtë fabrikë. Ndërkohë, tymi ka “pushtuar” zonën përreth.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Rreth orës 15:00, në ish-kombinatin metalurgjik, në një fabrikë plastike, ka rënë zjarr, dyshohet prej një shkëndije elektrike.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve, nga të cilat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.