Flamur Noka i shpëton ndëshkimit, socialistët i bëjnë “dhuratë” deputetit për fundvit

8 months ago 28
Reklamë

Nga Enkelejda Mema 

Flamur Noka i shpëton ndëshkimit. Për deputetin demokrat nuk do të ndërmerret asnjë masë përjashtuese që me rregulloren e re rrezikonte deri në 60 ditë pa punë dhe pa rrogë.

Këtë dhuratë për fundvit Flamur Nokës, një prej më të dalluarve në aksionin e opozitës ia bëri sekretariati i etikës.

Të premten e kaluar Partia Socialiste kërkoi përjashtimin e deputetit demokrat pas ndezjes së tymueseve dhe përplasjes verbale me gardën e republikës në seancën e fundit parlamentare që i hoqi imunitetin Sali Berishës.

Pas kërkesës sekretariati i etikës kishte 48 orë kohë për të shqyrtuar kërkesën, por ai nuk u mblodh. Arsyeja mbetet e pazyrtarizuar, nëse sekretariati i etikës nuk u mblodh për shkak se parlamenti me heqjen e imunitetit të Sali Berishës nisi pushimet e dimrit apo socialistët nuk donin ta rëndonin edhe më tej situatën në të cilën ndodhet grupimi më i madh i opozitës.

Pas këtij lëshimi me nisjen e sesionit të ri parlamentar në javën e tretë të janarit asnjë deputet demokrat nuk do të jetë i përjashtuar. Mbetet për tu parë sesi do të vijojë aksioni i mbështetësve të Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit nën “kërcënimin” e një rregulloreje që u heq atyre punën dhe rrogën nga një deri në dy muaj.

E kundërshtuar nga opozita për rregulloren e re që u ndryshua dhe u votua në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ankimuar nga opozita, deputetët mbështetës të Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit vlerësojnë se rregullorja është në shkelje të kushtetutës dhe kodit të procedurës penale me qëllimin e vetëm të shuarjes së zërit të opozitës./vizionplus.tv

Read Entire Article