Fredi Beleri humbet mandatin, KQZ e shpall të pavlefshëm

2 months ago 27
Reklamë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi arsyetoi se në bazë të ligjit të dekriminalizimit, Beleri nuk mund të ushtrojë fusnkionin e kryetarit të bashkisë së Himarës.

Heqja e mandatit të Fredi Belerit do t’i japë fund ngërçit në Bashkinë e Himarës, e cila prej më shumë se 1 viti po drejtohet nga kryetarë të komanduar.

Pas vendimit të KQZ, Presidenti Bajram Begaj do të shpallë datën e re të zgjedhjeve. Kreu i shtetit sipas Kodit Zgjedhor menjëherë pas njoftimit duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës.

Celibashi: Secila prej palëve pjesëmarrëve mund të kenë gjykimet dhe vlerësimet e tyre, por është fakt i pakundërshtueshëm sepse nuk ka asnjë provë për të provuar të kundërtën që në këtë proces KQZ nuk është futur për t’i shërbyer dikujt. Edhe pse vendimmarrja shkon në interes të dikujt dhe kundër interesave të dikujt tjetër. KQZ është e tillë që kënaq interesat e të gjitha palëve. Ndjej nevojën për të bërë këtë sqarim për shkak të ndonjë kompleksiteti. Për të vazhduar me arsyetimin ligjor të këtij procesi administrativ dhe me vlerësimin ligjor të çfarë përmban në tërësi ky proces, do doja të thoja që KQZ është kompetente për ta zhvilluar këtë proces administrativ. Duke e konsideruar të pranuar gjithë të drejtën e KQZ për tu marrë me këtë çështje, le të vijmë te thelbi i saj. Ligji për dekriminalizimin ka si qëllim që të ndalojë dhe të largojë të gjithë ata funksionarë publikë të mos kandidojnë, por dhe ata që e kanë marrë këtë funksion publik, në kushtet kur kanë kryer vepra penale të caktuara.

Diskutimi ngelet nëse një person që e ka marrë këtë funksion publik dhe kryen vepër penale, a është ky ligj që vepron ndaj këtij personi? Ky është diskutimi dhe pikëpyetja që ju sollët. Nuk është çështja e KQZ se çfarë mund të bëjnë institucionet e tjera dhe vendimmarrja e KQZ nuk është e kushtëzuar nga ajo që bëjnë institucionet e tjera. Ligjit të dekriminalizimit i nënshtrohen më shumë ata persona që e kanë marrë këtë detyrë. Jo vetëm për rastin e Belerit, por për këdo rast të ngjashëm kam keqardhjen që për shkak të këtij ligji të humbasin mandatin apo funksionet publike, por në fund të fundit ky është ligji. Nuk jam në pozitën për të komentuar se si kemi ardhur në këtë situatë, por situata kjo është. Ndaj Belerit ka një vendim të formës së prerë dhe ligji të ndalon të kandidosh e aq më shumë ta mbash atë funskion publik. Me bindje të plotë, mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të bashkisë Himarë, zotit Fredi Beleri dhe shpallim të pavlefshëm këtë mandat.

Fredi Beleri është dënuar meë dy vite burg nga Gjykata e Apelit. Ai u arrestua në flagrancë teksa bënte pazare për votat vetëm 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit të 2023. Ai i fitoi zgjedhjet nga burgu me një diferencë të lehtë votash, më pak se 20 vota, por për shkak të arrestit nuk mundi të ulej asnjë ditë në karrigen e kryebashkiakut dhe as të bënte betimin. Mandatin vijoi ta mbante kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro deri më 23 mars, kur po ashtu u arrestua me urdhër të SPAK pas një kallëzimi që Fredi Beleri kishte bërë për të për pronat në Himarë. Më pas detyrën e drejtimit të bashkisë e mori përkohësisht Blerina Bala ndërsa aktualisht Himara drejtohet nga nënkryetari i Bashkisë Arqile Bollano./vizionplus.tv

Read Entire Article