Banorët e prekur nga tërmeti në Kombinat dhe lagjen “5 Maji” do të futen në shtëpitë e reja brenda vitit. Në inspektimin e punimeve për pallatet e reja kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tashmë puna është afër fundit.
“Po punohet dhe jemi afër fundit. Për ato që kanë mbaruar më përpara, do të hedhim shortin, i cili do të organizohet njësoj si me shtëpitë te “5 Maji”. Pra, fëmijët e familjeve zgjedhin me short apartamentin ku do të banojë. Të ketë kismetin dhe sipas riskut që i takon. Ne do të sigurohemi që këtë stinë ta mbyllim njëherë e mirë historinë e tërmetit për Kombinatin dhe “5 Majin”, tha Veliaj.
Veliaj falenderoi qytetarët që kanë pasur besim në procesin e shpërndarjes së shtëpive. Ai siguroi se banorët që humbën shtëpinë nga tërmeti, do të marrin banesa shumë herë më të forta.
“I falenderoj me zemër të gjithë qytetarët që kanë pasur besim. Forcat politike që u munduan ta shfrytëzonin fatkeqësinë e tërmetit për të na bllokuar, për të na sabotuar, për stërkëmbësha, do të zhgënjehen rëndë. Në finale, njerëzit do të futen në shtëpinë e tyre, një shtëpi shumë herë më e mirë se shtëpia që lane pas. Një shtëpi që është shumë herë më e fortë. Me të mbaruar kolaudimin, ne ia çojmë ministrisë”, shtoi Veliaj.
Kryebashkiaku u ndal edhe tek projektet e ardhshme duke vecuar rehabilitimin e lumit të Lanës./vizionplus.tv