Goditet trafiku i klandestinëve, 26 urdhër arreste, mes tyre edhe për 4 oficerë policie

5 months ago 26
Reklamë

Një operacion i gjerë është finalizuar nga Policia e Shtetit dhe SPAK me qëllim goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të trafikut të emigrantëve të paligjshëm.

Organizata u zbulua pas hetimeve 1-vjeçare, që zbuluan se anëtarët e këtij grupi i ndihmonin emigrantët që të mbërrinin në vendin tonë, me destinacion final shtetet e Bashkimit Europian.

“U zbulua aktiviteti i të paktën 5 subjekteve që ushtronin aktivitet në fusha të ndryshme të biznesit që siguronin kontrata pune fiktive për shtetas kryesisht nga Bangladeshi dhe vijonin me aplikimin për vizë deri në pritjen e tyre në Rinas, e gjithë kjo përkundrejt pagesës 5000 euro. U identifikuan 26 shtetas të ndryshëm të përfshirë në këtë aktivitet ku janë përfshirë edhe punonjës policie”, tha drejtori i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Për disa prej tyre është caktuar masa e arrestit me burg, përfshirë edhe për 4 policët Altin Hasani, Edmond Braja, Arjel Hoxha dhe Ermal Hoxha.

“Me kërkesë të SPAK dhe GJKKO caktohen masat, arrest me burg, arrest shtëpie, pezullim nga detyra, për 24 persona në hetim dhe janë shpallur në kërkim dy prej tyre. Janë sekuestruar 13 mjete, 1 çifte, 5 armë, doza kokaine, dhe rreth 1 milion euro cash”, tha drejtori i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Operacioni u shtri në disa qytete të vendit kryesisht në pikat kufitare, por edhe në zonat ku kalojnë rrugët ndërqytetase./vizionplus.tv/

Read Entire Article