Grupi parlamentar i PD kërkon interpelancë urgjente me Ulsi Manjën: Nga amnistia përfituan mbi 100 të dënuar për korrupsion

4 months ago 27
Reklamë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar një kërkesë kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, për interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.

Enklejd Alibeja ka publikuar kërkesën për interpelancë me Manjën në profilin e tij në Facebook. PD kërkon interpelancë për ligjin e amnistisë.

Alibeaj thotë se nga ligji i amnistisë kanë përfituar mbi 100 të dënuar për korrupsion, kjo sipas tij nuk është e drejjtë. Alibeaj thotë se PD do të ndërmarrë çdo hap për vënien para përgjegjësisë të kujtdo duke filluar me kërkesën për interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësisë.

“25 ditë më parë, rreth 110 deputetë të Kuvendit bashkuan votat për të amnistuar edhe të dënuarit nga SPAK-GJKKO. 25 ditë më parë, përfaqësuesit më të zëshëm të atij bashkimi të turpshëm votash u përbetuan se “asnjë i dënuar për korrupsion nga GJKKO nuk do përfitonte”, apo se “ishin marrë statistika mbi përfituesit potencialë, e thjesht 2-3 policë do përfitonin”. Sot, mediat BIRN Albania dhe Investigative Network Albania kanë raportuar sipas informacionit të marrë nga SPAK, mbi 100 të dënuar për korrupsion u amnistuan. Një ligj i gatuar në errësirën e natës, në shkelje të procedurës parlamentare, me shpejtësi, pjellë e një pazari transversal të pamoralshëm politik, nxori nga burgu apo uli dënimin e mbi 100 të dënuarve për korrupsion (e me gjasë të tjerë do vijojnë të përfitojnë ditët në vazhdim). Besimi publik për ndëshkimin e korrupsionit dhe fund të pandëshkueshmërisë nga Reforma në Drejtesi mori goditje të fortë! Në thelb, pazari i amnistisë ishte prova gjenerale e një bashkëpunimi i rreth 110 deputetëve në mbrojtje të së shkuares korruptive. Ata u bënë bashkë kundër drejtësisë, e me këtë akt i dhanë goditje të qartë BKH-SPAK-GJKKO-së. Partia Demokratike që në fillim depozitoi amendamentet kundër amnistimit të të korruptuarve, në mbështetje të SPAK-GJKKO, duke denoncuar pazarin e aleancës antiSPAK në kurriz të qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë fundin e pandëshkueshmërisë. Me raportimin tashmë të fakteve nga media për amnistimin e të korruptuarve, PD do të ndërmarrë cdo hap për vënien para përgjegjësisë të kujtdo duke filluar me kërkesën për interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësise”, shkruan Alibeaj në Facebook.

Zbatimi i amnistise nisi me 24 prill. 780 të burgosur fituan ditën e 24 prillit  lirinë pasi miratimit nga parlamenti të amnistisë penale. Mes atyre që lanë qelitë ishin edhe të dënuar për vrasje, për kultivim të lëndëve narkotike si dhe ish zyrtarë.

Në burgun e Recit në shkodër u liruan 135 të burgosur. Një prej tyre, ish kryebashkiaku i Lezhes Fran Frrokaj, i dënuar për shpërdorim detyre, dha një pasi u rikthye në liri.

Nga amnistia do përfitojnë ulje dënimi edhe 800 të dënuar të tjerë. Po ashtu, përjashtohen nga ndjekja penale edhe shumë persona të arrestuar gjatë protestave të opozitës./vizionplus.tv/

Read Entire Article