Policia e Shtetit, nëpërmjet një procesi konkurrimi të drejtë, të paanshëm, transparent, si dhe sipas parimeve të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës, hapen aplikimet për pranim në Policinë e Shtetit, për 400 funksione të rolit bazë, të ndara sipas strukturave policore në nivel vendor (DVP, DVKM dhe struktura të veçanta), si vijon:
Në strukturat policore të qarkut Tiranë (DVP, DVKM dhe FNSH)-125
Në strukturat policore të qarkut Durrës (DVP dhe DVKM)-35
Në strukturat policore të qarkut Korçë (DVP dhe DVKM)-20
Në strukturat policore të qarkut Fier (DVP dhe FNSH)-10
Në strukturat policore të qarkut Vlorë (DVP, DVKM dhe Delta)-30
Në strukturat policore të qarkut Lezhë (DVP)-30
Në strukturat policore të qarkut Shkodër (DVP, DVKM dhe FNSH)-50
Në strukturat policore të qarkut Kukës (DVP dhe DVKM)-35
Në strukturat policore të qarkut Dibër (DVP dhe KPKM)-25
Në strukturat policore të qarkut Elbasan (DVP)-10
Në strukturat policore të qarkut Gjirokastër (DVP dhe DVKM)-20
Në strukturat policore të qarkut Berat (DVP)-10
Në numrin e kuotave për konkurrim, 50% e kuotave do të jenë për shtetaset femra të cilat pas përfundimit me sukses të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, do të emërohen në strukturat e Kufirit dhe Migracionit.
KRITERET PËR APLIKIM
Çdo shtetas qe plotëson kriteret e mëposhtme, ka të drejtë të aplikojë pranë drejtorive vendore të Policisë ku ai ka vendbanimin e përhershëm.
Aplikimet janë të hapura deri më datë 31.07.2024.
- a) të jetë shtetas shqiptar;
- b) të jetë jo më shumë se 30 vjeç;
- c) të jetë me gjatësi jo më pak se 165 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat;
- d) të ketë mbaruar arsimin e mesëm;
- e) të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil;
- f) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- g) të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
- h) të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- i) të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
- j) të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
- k) të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit.
DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM
Shtetasit qe shprehin dëshirën për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, përkundrejt tarifës se aplikimit, jo më vonë se data 31.07.2024, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të Policisë, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me dokumentacionin e mëposhtëm:
- a) formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e Policisë;
- b) fotokopje të kartës së identitetit;
- c) diplomë të shoqëruar me listë notash që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (të noterizuara);
- d) fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
- e) certifikatë e gjendjes gjyqësore (nxirret nga struktura policore ku kryen aplikimin);
- f) certifikatë familjare (nxirret nga struktura policore ku kryen aplikimin);
- g) vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
- h) vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;
- i) vërtetim nga struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar;
- j) mandat-pagesa e tarifës së aplikimit;
FAZAT QE KALOJNË APLIKANTËT PËR PRANIM
Për pranimin në polici, aplikantët duhet të kalojnë me sukses sipas rendit zbritës fazat e mëposhtme:
- a) aplikimi;
- b) verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit;
- c) verifikimi i besueshmërisë dhe integritetit të aplikantëve;
- d) kontrolli shëndetësor;
- e) testimi, i cili përfshin testin me shkrim, testin fizik, intervistën me gojë dhe testin psikologjik.
Me qellim që procesi i verifikimit të kryhet në mënyrë sa më të shpejte, por pa cenuar cilësinë e verifikimit, procesi i shqyrtimit të dokumentacionit, verifikimi i besueshmërisë së aplikantëve, si dhe marrja, administrimi dhe krahasimi i gjurmëve daktiloskopike, bëhen menjëherë për secilin aplikant, duke filluar nga momenti i dorëzimit të dokumentacionit, pa pritur përfundimin e afatit të aplikimit.
Procesit të testimit i nënshtrohet vetëm aplikantët të cilët në baze të vendimit të Komisionit të Pranimit, plotësojnë kriteret dhe janë të përshtatshëm për të vazhduar procesin e pranimit.
Aplikanti skualifikohet dhe ndërpret procesin e konkurrimit në çdo faze të tij nëse:
- nuk aplikon brenda afatit të përcaktuar;
- nuk dorëzon në kohen e aplikimit dokumentacionin e kërkuar;
- nuk plotëson kriteret e përcaktuara në piken 3 të këtij urdhri;
- ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara;
- rezulton përdorues droge;
- rezulton të ketë varësi nga alkooli;
- nuk kalon kontrollin shëndetësor;
- nuk paraqitet në kohën e caktuar në një nga fazat e testimit;
- nuk vlerësohet me të paktën 50% të pikëve në secilën prej fazave të testimit.
Formularët e aplikimit shkarkohen në linkun e mëposhtëm: https://asp.gov.al/hapen-aplikimet-per-pranim-ne-policine-e-shtetit-per-400-funksione-te-rolit-baze/