Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve, në Tiranë u përurua shkolla e Biçikletave, e cila do të shërbejë si një hapësirë ku fëmijët do të mësojnë pedalimin dhe rregullat e qarkullimit rrugor.
“Kjo është zyrtarisht shkolla e biçikletave më e madhe në Ballkan, 10 mijë metra katrorë. Ju kujtohet protesta te Kodrat e Liqenit kundër këndit të lodrave?! I njëjti grup njerëzish sot janë me molotovë, dje ishin me pistoletë. Ka tetë vite, në çdo punë të bashkisë së Tiranës, vetëm të pengojë, vetëm të bllokojë. Fëmijët mund të jenë 20% e popullsisë, por janë 100% e të ardhmes tonë. Dhe një qytet që nuk mendon për fëmijët, është një qytet që nuk mendon për të ardhmen”, tha Veliaj.
Ndërkohë rreth 600 nxënës nga shkollat 9 vjeçare të vendit festuan 1 qershorin duke shpalosur vlerat e trashëgimisë kulturore përmes panairit “Art, Zeje, Sport” që u mbajt në kryeqytet.
“Programi kombëtar “Art dhe Zeje” është një prej programeve që lindi dy vite më parë dhe që ka bërë të mundur që në 200 shkolla në të gjithë vendin nga veriu në jug ne të mundemi që të stimulojmë dhe promovojmë kreativitetin e fëmijëve. Të mundemi që të transmetojmë kulturën dhe traditën shqiptare”, tha ministrja e arsimit dhe sportit, Ogerta Manastirtliu.
Vallet e bukura shqiptare në origjinalitetin e tyre përcollën atmosferë edhe në Librazhd ku fëmijë dhe të rinj festuan në parkun e “Qershive” duke sjellë ndër të tjera edhe projektin “Traditë në valle.”
“100 të rinj nga e gjithë Shqipëria mësojnë vallet tona të bukura duke kontribuar kështu në ruajtjen dhe përcjelljen e tyre në breza. Në këtë 1 Qershor këta të rinj ndaluan në Librazhd dhe përshëndetën fëmijët dhe të rriturit me vallet popullore nga të gjitha trevat të sjella aq bukur dhe me mjeshtëri prej tyre”, tha ministrja e shtetit për rininë dhe fëmijët, Bora Muzhaqi.
Fëmijët luajtën e u argëtuan duke mësuar edhe më shumë mbi kujdesin ndaj bimëve, sigurisë rrugore, artit dhe sportit.