Një 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë këtë të mërkurë, ndërsa një 24-vjeçar është shpallur në kërkim.
Të rinjtë hiqeshin si funksionarë të lartë shtetëror dhe mashtronin bizneset.
26-vjeçari, Shkëlqim Saraçi është kapur në flagrancë teksa po i merrte administratorit të një subjekti privat, 20000 euro, pas mashtrimit në aplikacione të ndryshme
Njoftimi i Plotë:
Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe në drejtimin e Prokurorinë së Tiranës, finalizoi operacionin policor të koduar “Apps”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi Sh. S., 26 vjeç, banues në Tiranë.
26-vjeçari u kap në flagrancë ndërkohë që po i merrte administratorit të një subjekti privat, të cilin e kishte mashtruar në aplikacione të ndryshme, 20000 euro. Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u identifikua dhe u shpall në kërkim organizatori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi L. D., 24 vjeç.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se këta shtetas, duke u prezantuar si funksionarë të lartë shtetërorë, i kanë kërkuar administratorit, 50 000 euro.
Punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit L. D., i cili nga verifikimet rezulton se është jashtë shtetit, si dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”. /vizionplus.tv