Shkarkohet nga shkalla e parë e vetting-ut gjyqtari që i dha vulën PD-së së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky vendim është marrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene, bën me dije se gjyqtari Agron Zhukri nuk kaloi me sukses preocesin për arysetimin e pasurisë. Zhukri ka rezultuar me probleme në kriterin e pasurisë.
Gjyqtari i Tiranës, Agron Zhukri u paraqit të mërkurën më 17 prill në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me tre përfaqësues ligjorë dhe u ballafaqua me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha në një seancë dëgjimore që zgjati rreth 5 orë e gjysmë.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Zhukri u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar mësohet se ishte Francesco Ciardi.
Sipas relatimit, Zhukri nuk ka deklaruar ndonjë pasuri në posedim apo përdorim, ndërkohë që bashkëshortja e tij ka deklaruar disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme.
Sipas KPK-së, nuk janë vërtetuar një pjesë e të ardhurave të deklaruara nga aktiviteti privat, si dhe nuk është provuar pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat si ndërmjetëse. Për rrjedhojë, ka rezultuar bilanc negativ edhe në këtë investim.
Nga analiza financiare paraprake e KPK ka rezultuar pamundësi edhe për pagesat e kryera në vitin 2003 nga bashkëshortja e Agron Zhukrit për blerjen e një apartamenti në Qerret, kur ka rezultuar me bilanc negativ në masën rreth 11 milionë lekë.
/vizionplus.tv/