Zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka folur me tone të ashpra gjatë takimin me punonjësit e ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime në Vlorë.
Në fjalën e saj zv.kryeministrja Balluku, e ka cilësuar skemë të pastër korruptive dhe të strukturuar, sjelljen e disa punonjësve të SHA.UKV, pasi disa prej tyre kanë ngritur padi ndaj kësaj ndërmarrjeje dhe kanë përfituar miliona lekë, duke abuzuar në kurriz të qytetarëve.
Balluku ua ka thënë hapur në mbledhje punonjësve se kush ka marrë pjesë në këtë skemë të pastër korruptive për të vjedhur paratë e qytetarëve duke futur në lojë edhe gjykata, do të përgjigjen të gjithë në SPAK.
“Të gjitha dosjet janë gati. Përdorini tani ata avokatë për t’u mbrojtur, edhe ata avokatë duhet të mbrojnë veten. Pretendoni që nuk të është paguar vjetërsia në punë, por nuk të mjafton kjo. Në të gjitha rastet të llogaritura nga ne shkon në 1 milion deri në 2 milion të vjetra, me shtesat që i kanë bërë paditësit ka arritur në 100 milion të vjetra, është marrë në gjykatë për një punonjës. Nga gjykata kanë marrë edhe 14 mijë lek në muaj për diplomën e nivelit të lartë, që në fakt VKM parashikon vetëm për ata me DAP. Këtë e dinë shumë mirë ata që kanë bërë skemën, deri te gjyqtari. Me kod pune shumica e atyre që kanë paditur e kanë çështjen të parashkruar se kanë dalë në pension prej vitesh. Secili prej jush që i ka hyrë kësaj skemë, i keni hyrë detit në këmbë. Do përgjigjeni të gjithë, do të ktheheni në shembull se çfarë ndodh kur ka grup të strukturuar. Ky është grup i strukturuar, i cili ka vepruar në bashkërendim të plotë në kurriz shqiptar dhe në kurriz të popullit të Vlorës…. S’ka ardhur njeri t’ju thotë të rrini apo të ikni nga puna, atë e dini vetë. E dini mirë kush ka shkelur ligjin”, deklaroi Balluku.