Mëngjesin e sotëm letërsia shqiptare humbi një nga shkrimtarët e saj më të mëdhenj, Ismail Kadare.
Kolosi i letrave shqipe mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike, në vargje e në prozë.
Lexo edhe :
Related Posts
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, në një familje bektashie qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët, duke pasur kështu nga e ëma paraardhës bejtexhiun Hoxhë Dobi. Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit. Në vogëli kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga e ëma, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. I ati punonte postier i gjykatës së qytetit, më 1920 qe ndër 218 vullnetarët gjirokastritë që morën pjesë në Luftën e Vlorës.
Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër.
Ishte Makbethi i Shekspirit që i zgjoi dashurinë për letërsinë në moshën 13-vjeçare. Në këtë moshë shkroi tregimet e para, të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18-vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar “Frymëzime djaloshare”.
Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-’58) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë “Mjegullat e Tiranës”, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik.
Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht.
Përgjatë viteve ’50 dhe në fillimet e viteve ’60 u njoh për poezi, kurse duke filluar nga vitet ’60 edhe për prozë. Në atë periudhë pjesa më e madhe e shkrimtarëve i përkisnin brezit të dalë nga lufta. Pas kthimit nga Moska, veprën “Qyteti pa reklama” e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin “Ditë kafenesh” më 1962 te “Zëri i Rinisë”.
Në vitin 1963 e botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, “Përbindëshi”, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.
Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze “Albin Michel” botoi në frëngjisht romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë.
Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet “Kështjella” (1970) dhe “Kronikë në gur” (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë.
Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet e tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961, që pastaj t’i kishte duart e lira t’u rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re. Romanit i vuri titullin “Dimri i vetmisë së madhe”. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar “Dimri i madh” dhe u përkthye edhe në frëngjisht.
Ismail Kadare ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Macron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, ndërsa vitet e fundit u rikthye në Tiranë. Më 17 tetor 2023, shkrimtarit të madh shqiptar iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron. /vizionplus.tv