Investigimi për ngritjen e kampeve, Rama: Sot del intervista për emisionin italian, të vërtetën e dua shumë

5 months ago 20

Sot në mbrëmje emisioni investigativ italian “Report” do të publikojë pjesën e dytë të emisionit, i cili i është dedikuar ngritjes së kampeve në Gjadër dhe Shëngjin, ku pritet që të vijnë rreth 3000 emigrantë të Italisë nga vendet e treta.

Pas publikimit të pjesës së parë të emisionit, akuzat e opozitës shqiptare në drejtim të qeverisë ishin të shumta, duke u pasuar edhe me kundërpërgjigje.

Po ashtu, kryeministri Edi Rama i bëri edhe një ftesë publike gazetareit të “Report” për të zhvilluar me të një intervistë, e cila do të transmetohet sot në mbrëmje, në orën 20:00.

E dua Giorgio, por dua më shumë të vërtetën”, shkruan Rama duke iu referuar raportit të medias italiane Rai 3, ku thekson se e ka fjalën për gazetarin në foto dhe jo kryeministren Giorgia Meloni.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

“VOGLIO BENE A GIORGIO MA VOGLIO DI PIU A LA VERITA”*

SONTE 20:00

“RAI3 Report” bëri para disa javësh një reportazh ku përzieu në të njëjtin kazan prodhimet e sherrit politike italian mbi marrëveshjen Itali-Shqipëri për qendrën e pritjes së tremijë migrantëve në Shëngjin, me llumin e eksportuar nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës, duke cënuar imazhin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Dihet “lufta” që pasoi e që u bë temë e mediave italiane pas kundërvënies sime ndaj asaj llumnaje.

Drejtori i programit “Report” iu përgjigj pozitivisht ftesës sime publike drejtuar atij personalisht, për të ballafaquar faktet në sytë e audiencës së RAI3. Ramë dakord, që përveç copave të intervistës së bërë në zyrën time, të cilat ata do t’i marrin e do t’i presin dhe qepin sipas skenarit të tyre (me qëllimin lehtësisht të lexueshëm të vazhdimit të përzierjes në të njëjtin kazan të sherrnajës politike italiane me llumin e eksportuar nga Tirana) intervista e pacensuruar do të publikohet e plotë njëkohësisht në rrjetet sociale të Report, si edhe këtu në këtë faqe.

Sonte në mbrëmje shikoni, dëgjoni e gjykoni vetë, unë s’po bëj asnjë koment. Nesër flasim, këtu jemi prapë

*Kujdes e kam fjalën për Giorgio-n, gazetarin në foto, jo për Giorgia-n, shënjestrën kryesore të “RAI3 Report”. 

Read Entire Article