Investime në shkollat e Tiranës, Veliaj: Regjistroni fëmijët në zonat ku jetoni

3 weeks ago 5
Reklamë

Pak ditë para nisjes së vitit akademik kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punën për ndërtimin e terreneve sportive dhe mureve rrethuese për shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi”. Veliaj u bëri thirrje prindërve që fëmijët t’i regjistrojnë në shkollat afër banesës së tyre duke shtuar se këto dy shkolla do të kenë të njëjtën infrastrukturë si shkollat e tjera të kryeqytetit.

“Na duhet një punë e jashtëzakonshme me prindërit sepse është vetëm çështje mentaliteti. Duhet punuar që asnjë njësi administrative të mos e shkelë rregullin: Kujt i takon ta regjistrojë fëmijën në shkollat ‘Mustafa Greblleshi’ dhe ‘Sandër Prosi’, sidomos tani që do bëhet edhe terreni sportiv, nuk duhet të shkojë te “Bashkim Fino”. Por, kush është te zona e shkollave ‘Mihal Grameno’ dhe ‘Bashkim Fino’, nëse njëra shkollë është mbushur, do shkojë te tjetra, e cila është me kushte ultra moderne. Ky është një proces i cili kërkon të ndryshojmë edhe këtë ‘infrastrukturën’ 10 centimetra të mendjes sonë, siç do ndryshojmë edhe infrastrukturën 1200 kilometra katrorë të Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku përmendi edhe një sërë projektesh, të cilat janë bllokuar nga vendime në favor të privatit dhe jo të publikut. Sipas tij, zhbllokimi i investimeve publike do të ishte e vetmja mënyrë që Tirana të ecë përpara.

“Merren masa bllokimi për shkolla, kopshte, çerdhe, në interes të privatit, kundër publikut. Privati ka të gjitha mundësitë të blejë terrene sportive, të investojë, s’ka nevojë t’ia marrë interesit publik, s’ka nevojë t’ia marrë as çerdhes nr.37, s’ka nevojë të bllokohet as Kopshti Botanik, s’ka nevojë të qëndrojnë ende ato dy shtëpitë pa leje te Liqeni. U bënë 7 vite, nuk marrim dot një datë gjyqi për Kopshtin Botanik. Pra, kemi plot investime që kanë 7 vite që presim një datë. Kjo nuk funksionon”, tha Veliaj.

Veliaj kërkoi mbështetjen për të çliruar pronat publike edhe nga zaptimet e fundit, duke theksuar se prioritet janë shkollat, çerdhet dhe kopshtet./vizionplus.tv

Read Entire Article