Irani është shumë më i dobët nga sa duket

9 months ago 22
Reklamë

Nga The Economist

Përktheu: Xhuljana Zhuleku-Vizionplus.tv

Dymbëdhjetë muaj më parë, Irani ishte zhytur në protestat e shkaktuara nga vdekja në paraburgim e një gruaje, e cila ishte arrestuar pas zbulimit të flokëve.

Regjimi teokratik i Iranit ishte gjithnjë e më i izoluar, pasi shtetet arabe krijuan lidhje më të ngushta me armikun e tij, Izraelin. Ekonomia ishte një rrëmujë e madhe, duke shtuar zemërimin popullor ndaj udhëheqësit suprem të moshuar dhe presidentit të paaftë të Iranit.

Republika Islamike nuk kishte qenë kaq e pambrojtur në dekada.

Në shumë mënyra, pozita e saj duket më e fortë sot. Që nga 7 tetori, përfaqësuesit e Iranit kanë luftuar Izraelin në fushën diplomatike dhe kanë sulmuar trupat amerikane në Siri dhe Irak.

Megjithatë, regjimi ka arritur të ruajë pozicionet me Arabinë Saudite dhe afrimi saudit me Izraelin ka ngecur, të paktën tani për tani.

Irani ka thelluar lidhjet e tij me Rusinë duke i shitur dronë. Edhe pse Irani po i afrohet momentit për të qenë një shtet me armë bërthamore, duke pasuruar gjithnjë e më shumë uranium deri në 60%, Amerika ndërkohë ka lehtësuar sanksionet enaftës. Irani tani pompon në treg më shumë se 3.4 milion fuçi në ditë, niveli më i lartë në pesë vjet.

Megjithatë edhe dobësitë e Iranit janë të qarta. Edhe pse milicitë të ndikuara prej Iranit i janë bashkuar betejës për të mbrojtur Hamasin në Gaza, përpjekjet e tyre kanë qenë gjysmake. Irani është futur nën presion nga Amerika, e cila ka dërguar dy grupe aeroplanmbajtësesh në Lindjen e Mesme. Kjo duket se e ka penguar Iranin që të urdhërojë Hizbullahun, përfaqësuesin e tij libanez, të përshkallëzojë luftën ndaj Izraelit.

Ai e di se çdo gjë më shumë se sulmet simbolike ndaj Izraelit do të rrezikonte një përgjigje shkatërruese. Udhëheqësit e Hamasit ankohen për mbështetjen e vogël të Teheranit. “Ose humbasin fytyrën, ose humbin krahun,” thotë Enrique Mora, i dërguari i BE-së në Iran. “Ata vendosën të humbnin fytyrën.”

Ekonomia e Iranit është gjithashtu më e dobët nga sa duket. Vendi po pompon më shumë naftë, por të ardhurat nga shitja e saj shpesh ngecin jashtë vendit. Monedha është 25% më e dobët se një vit më parë.

Inflacioni mbetet mbi 40%. Rusia nuk mund të ofrojë shumë investime, nëse ka, dhe Kina nuk do ta bëjë këtë derisa Irani është nën sanksionet amerikane.

Ali Khamenei, lideri suprem, është 84 vjeç. Pasardhi i tij do të jetë përballë vështirësive: kandidatët e mundshëm janë të papëlqyeshëm, të paaftë ose të dyja. “Ju mendoni se ata janë të sigurt,” thotë një analist iranian për regjimin. “Por ata janë thellësisht nervozë.”

Ky realitet duhet të ndërgjegjësojë politikën amerikane. Disa duan që presidenti Joe Biden të përpiqet të ringjallë marrëveshjen e braktisur bërthamore në vitin 2024. Por Irani nuk do të bëjë një marrëveshje të madhe me një president që së shpejti mund të zëvendësohet nga Donald Trump. Në vend të kësaj, Amerika duhet të vazhdojë të fokusohet në de-përshkallëzimin.

Kjo do të thotë të vazhdosh të tregosh forcë. Ajo duhet të mbajë presionin ushtarak mbi Iranin dhe përfaqësuesit e tij, dhe të ngrihet një koalicion ndërkombëtar për të penguar Houthi-t e Jemenit nga sulmet e mëtejshme ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Ndërkohë, Amerika duhet të rifillojë bisedimet indirekte me Iranin. Ajo duhet të fokusohet në stabilitetin rajonal, duke bërë presion për një marrëveshje që do të detyronte Hizbullahun të lëvizte forcat e tij në veri të lumit Litan në Liban, duke shmangur kështu një luftë më të madhe me Izraelin.

Kjo mund të jetë një pikënisje për negociata më të gjera. Biden duhet të shmangë kthimin në politikën e dështuar të paraardhësit të tij të “presionit maksimal” dhe të lërë të hapur derën për një marrëveshje që kufizon si programin bërthamor të Iranit ashtu edhe ndërhyrjen e tij rajonale.

Irani ka një zgjedhje për të bërë. Milicitë që ai sponsorizon në vende të tjera tani kërcënojnë interesat e tij. Ata kanë rrezikuar përpjekjet për de-përshkallëzimin.

Ata i kanë kushtuar gjithashtu 6 miliardë dollarë në formën e të ardhurave të ngrira të naftës që do të liroheshin pas një shkëmbimi të burgosurish me Amerikën vetëm disa javë përpara 7 tetorit. Amerika madje ka kërcënuar se do ta sulmojë Iranin drejtpërdrejt nëse ai nuk e frenon Hizbullahun. Në vend që ta mbanin konfliktin larg kufijve të Iranit, siç ishte menduar, përfaqësuesit e tij tani rrezikojnë ta afrojnë atë.

Iranianët janë të shqetësuar. Po afrohet një tranzicion i ndërlikuar. Regjimi, si gjithmonë, kujdeset më së shumti për stabilitetin e tij, të cilit më së miri do t’i shërbente duke e zbutur zellin revolucionar jashtë vendit.

A do të jetë kjo situatë një lehtësim për fqinjët sunitë? -Kjo nuk do shpjegim! /vizionplus.tv

Read Entire Article