Ish-shefit të Operacionales i’u sekuestrua pasuria 1 milionë euro, si po i heton SPAK të ardhurat e 6 shefave të policisë

7 months ago 28
Reklamë

Vrasës, biznesmenë e përfaqësues të shtetit i bëri bashkë jo vetëm etja për hakmarrje e për të eliminuar kundërshtarët, por gjithashtu edhe tundimi për para.

Të veshur me uniformën e shefit, deri dje ata orientonin vartësit për të kryer arrestime. Megjithatë, me arrestimin e tyre nga SPAK, përpos sqarimit të pozicionit të tyre në ngjarje të caktuara kriminale, ata po hetohen edhe për pasuritë e tyre.

Në raportimin e datës 28 nëntor 2023 të gazetares Anila Hoxha, Top Channel paralajmëroi hetimin pasuror të 6 shefave, aktualisht nën masa sigurie, për zotërimin e aseteve të dyshimta patundshmërie në Shqipëri por edhe jashtë vendit.

Në vitin 2023 nisi hetimi pasuror ndaj ish-shefit të komisariatit të Kurbinit Dritan Metaj, shfaqur në kamera sigurie në zonën e Patokut, duke u frekuentuar me të kërkuarin Gëzim Çela, një ish-polic i kthyer në narkotrafikant.

Në kulmin e një hetimi që synoi të zbërthente formën se si shkëmbehej kokaina me pothuajse 1.5 ton hashash, shefi i policisë doli që shoqërohej me narkotrafikantin Çela, për të cilin insistonte se e njihte gjatë kohës së policimit dhe se nuk dispononte informacion që ishte në kërkim . ‘Kur mora emërimin pata shumë angazhime në detyrë si ajo e masave për zgjedhjet dhe pelegrinazhi disa javor në kishën e Laçit’, insiston ish-zyrtari duke argumentuar se për këtë arsye nuk e dinte që po shoqërohej me një të kërkuar.

Nën hetim pasuror është edhe ish-drejtori i forcave operacionale Oltion Bistri shfaqur në komunikimet e SKY duke i deleguar informacion Pëllumb Gjokës, mbi aksionet që ndërmerreshin kundra lojrave të fatit, një fenomen, i cili luftohej në sipërfaqe. Por, sakaq edhe zyrtarë të tjerë dyshohen se u shërbyen personazheve të njohur sikundër edhe atyre të Call Center-ave.

Hetimi pasuror, tha SPAK, po kryhet edhe ndaj Erzen Breçanit, po ashtu i tradhtuar nga SKY, teksa flet me të birin, herë si at që i bënte thirrje birit trafikant të braktiste paligjshmërinë, por herë si shok i të kërkuarve që i udhëzonte se si duhet ti shpëtonin kontrolleve dhe përgjimeve.

Shefi i krimeve të Kombinatit Dedan Gjoni po hetohet edhe për pasuritë, konfirmon SPAK. Dhe veç tyre edhe Sokol Idrizaj, ish-shoferi i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, i cili deri pak kohë më parë mbante detyrën e kreut të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Top Channel

Read Entire Article