Izraeli vendos ultimatum: Nëse Hamasi nuk liron pengjet deri më 10 mars, një ofensivë do të nisë në Rafah

8 months ago 16

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i ka hedhur poshtë sërish thirrjet për të ndalur ofensivën ushtarake në Gazë, duke u zotuar për “ta përfunduar punën”.

Ndërkohë, një anëtar i kabinetit të tij ka kërcënuar me pushtim të qytetit jugor të Gazës, Rafah, nëse pengjet e mbetura izraelite në duart e Hamasit, nuk lirohen deri në nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Hamasi, grupi palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria izraelite nuk i ka diskutuar publikisht afatet kohore për ofensivën tokësore në Rafah, ku janë strehuar më shumë se 2.3 milionë palestinezët e ikur prej pjesëve tjera të Gazës.

“Nëse deri në nisje të Ramazanit nuk lirohen pengjet, luftimet do të vazhdojnë në zonën Rafah”, tha anëtari i kabinetit të luftës izraelite, Benny Gantz në një konferencë të liderëve hebrejo-amerikanë.

Në kohën e bllokimit të negociatave për armëpushim, Netanyahu i ka quajtur kërkesat e Hamasit si “iluzione”.

Shtetet e Bashkuara, aleatet kryesore të Izraelit, janë duke shpresuar ende në arritje të armëpushimit dhe marrëveshje për pengjet, dhe janë në kërkim të një zgjidhjeje më të madhe për luftën e nxitur prej Hamasit, për shkak të sulmeve që ka kryer në tokën izraelite më 7 tetor të vitit të kaluar.

Si pasojë e sulmeve janë vrarë 1.200 izraelitë dhe qindra tjerë janë marrë peng.

Izraeli, në anën tjetër, ka treguar qartë se kundërshton thirrjet e SHBA-së për të gjetur një zgjidhje me dy shtete, ani pse edhe një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar mbështet një shtet të pavarur palestinez.

Netanyahu ka thënë se Izraeli kërkon “fitore të plotë” ndaj Hamasit.

Duke folur për shqetësimet e ndërkombëtarëve për ofensivën në Rafah, ai ka thënë se civilët palestinezë do të evakuohen, ndonëse nuk dihet se ku do të mund të shkojnë ata, pasi një pjesë e mirë e Gazës është shkatërruar.

Lufta në Gazë ka vrarë të paktën 28.985 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Rreth 80 për qind e popullsisë së Gazës është zhvendosur dhe një çerek po përballet me urinë.

Top Channel

Read Entire Article