Ushtria izraelite ka thënë se ka marrë kontrollin e zonës strategjikisht të rëndësishme përgjatë kufirit Gaza-Egjipt të njohur si Korridori Filadelfi, që do të thotë se tani kontrollon të gjithë kufirin tokësor të Gazës.
Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) tha se rreth 20 tunele të përdorura nga Hamasi për të kontrabanduar armë në Gaza ishin gjetur brenda zonës.
TV egjiptian citoi burime që e mohonin këtë dhe tha se Izraeli po përpiqej të justifikonte operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Njoftimi vjen gjatë një periudhe tensionesh të rritura me Egjiptin.
“Në ditët e fundit, trupat e IDF vendosën kontrollin operacional në korridorin e Filadelfit, në kufirin midis Egjiptit dhe Rafahut,” tha të mërkurën zëdhënësi i IDF, kundëradmirali Daniel Hagari.
Ai e përshkroi korridorin si një “vijë shpëtimi” për Hamasin, përmes të cilit grupi “kontrabandonte rregullisht armë në Rripin e Gazës”.
Ai tha se trupat po “hetonin dhe neutralizonin” tunelet e gjetura në zonë.
Hagari më vonë tha në një konferencë me gazetarët se ai nuk mund të ishte i sigurt se të gjithë tunelet kalonin në Egjipt, raportoi New York Times.
Egjipti ka thënë më parë se kishte shkatërruar tunele ndërkufitare, duke e bërë të pamundur çdo kontrabandë armësh.
Izraeli ka këmbëngulur se duhet të marrë Rafahun për të arritur fitoren në luftën e shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në vend më 7 tetor, gjatë të cilit rreth 1200 njerëz u vranë dhe 252 të tjerë u morën peng.
Të paktën 36,170 njerëz janë vrarë në të gjithë Gazën që nga fillimi i konfliktit, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Tensionet midis Egjiptit dhe Izraelit janë rritur që kur forcat izraelite morën kontrollin në pikën e kalimit Rafah tre javë më parë, si pjesë e ofensivës së tyre kundër Hamasit.
Në fillim të kësaj jave, një ushtar egjiptian u vra në një incident që përfshinte trupat egjiptiane dhe izraelite në zonën kufitare pranë Rafahut.
Egjipti është një mbështetës i fortë i palestinezëve dhe ka dënuar fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza dhe vrasjen e mijëra civilëve nga Izraeli në luftë./vizionplus.tv