Sopranoja dhe këngëtarja shqiptare Vikena Kamenica, ka rrëfyer disa të fshehta nga jeta e saj artistike por edhe njerëzore ndërsa ishte e ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
E pyetur nga moderatorja Borakaj se cila mes Jazz dhe Operas e tërheq më shumë, Vikena tha se në Jazz ke mundësinë të shprehesh lirshëm, ndërsa opera kërkon shumë më shumë impenjim.
Pjesë nga biseda:
Pranvera Borakaj: Kur zgjohesh në mëngjes, çfarë muzike të pëlqen?
Vikena Kamenica: Jazzy e merr, padiskutim që e merr. Sepse jazzy vetëm nga stili është quajtur muzika e lirë. Një material Jazzy, mund të shkojë deri në 7 minuta, nuk të bëhet asnjëherë i mërzitshëm., Mund të shprehesh gjatë në Jazz, mund të improviziosh, të jep lirinë e të shprehurit. Opera nuk ta jep, ka një punë shumë të fortë teknike profesionale, ajo çfarë ti jep në skenë. TOB të kërkon aktore shumë të mirë, duhet që zëri jot të dëgjohet deri te karrigia e fundit, të kesh një kontroll me partnerët, orkestrën. Ajo çfarë ti del si këngëtare lirike, që për mua është sfiduese prandaj nga opera nuk heq dorë.
Pranvera Borakaj: E ke të vështirë për të dalë nga roli?
Vikena Kamenica: Po vështirë është, sidomos për mua që futem, pasi po nuk u futa nuk e përcjell dot. E jetoj, e mbaj vetë, më saktë e shijoj vetë atë emocion, prandaj e di që e kam përcjellë.
Pranvera Borakaj: Më duket se fakti që lëviz nga muzika e lehtë te opera, Jazz i ke shijuar të gjitha emocionet, duket sikur ja ke lejuar vetes për ti parë të gjitha?
Vikena Kamenica: Ja kam lejuar vetes, kjo është arsyeja pse nuk kam lëvizur nga ky vend.
Pranvera Borakaj: E ke menduar ndonjëherë emigrimin.
Vikena Kamenica: Po e kam menduar. Në shumicën e rasteve nuk është se të bën puna apo jeta aty, janë rrethanat që ti kërkon nga vendi jot. Siç është kurba sociale-ekonomike që vendi kalon dhe ti e jeton.