“Ka jetë përtej kancerit”, mesazhi i fortë i 29-vjeçares që ka “luftuar” me sëmundjen: Jeta është e bukur, çdo ditë ëshë e çmuar

2 hours ago 27

Inspektorja e shëndetësisë, Klea Prifti, në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “7pa5” në Vizion Plus ka treguar betejën e saj me kancerin e gjirit, betejë të cilën e ka fituar falë këmbënguljes, optimizmit dhe dëshirës për të jetuar. Klea tha se u diagnostikua me kancer gjiri para 4 vitesh në moshën 25 vjeçare, falë një kontrolli rutinë.

Klea Prifti: Jam diagnostikuar me kancer në moshën 25 vjeçare para 4 vitesh. Kam bërë kimioterapi, disa ndërhyrje dhe më pas ka vazhduar jeta si normalisht. Para 10 muajsh jam bërë mami dhe sëmundjen e kemi kapur në stadet e hershme pavarësisht agresivitetit të saj. Kur kapet në fazat e hershme mjekimi bëhet më i lehtë. Familja ishte pika ime e dobët dhe është njëkohësisht pika ime e fortë. Njerëzit tanë të dashur duan të na shikojnë gjithmonë mirë. Kur mora vesh për diagnozën thosha “do ta kaloj, thjesht po më mundon shumë.”

E ndieja se diçka nuk shkonte me trupin tim, pavarësisht se çfarë më thoshin. Në të vërtetë doli që nuk isha e fiksuar. Një biopsi tregoi qe kisha një masë malinje dhe duhet të filloja kimioterapitë direkt. Pyetja e parë që pacientët i bëjnë vetes ëshë “pse mua”. Asnjëherë nuk e mendojmë që kjo mund të na ndodhë ne. Askush nuk është imun ndaj sëmundjeve si kanceri. Është mirë që mos ia përsërisim vetes këto pyetje por duhet t’i themi “okej mua, por tani si do tia dal”. Pas katër viteve nga sëmundja kam kurajo të flas. Në atë kohë as vetë nuk e dija se çfarë po kaloja. Kam pasur një përkrahje shumë të madhe nga i fejuari im i cili ka qenë përkrah meje në çdo vizitë dhe nga prindërit që janë kujdesur për mua si një bebe.

Në kohën që jam diagnostikuar kam njohur një vajzë që ishte diagnostikuar 21 vjeçe. Ajo më ka dhënë një forcë të jashtëzakonshme sepse pavarësisht asaj që kishte kaluar kishte dalë më e fortë se kurrë. Sot kemi fatin të jetojmë në një kohë kur mjekësia ecën përpara dhe vetëm zhvillohet dhe mund të marrim mjekime më të mira nga ato që kanë marrë zonjat para 20 viteve.

Klea ka një mesazh për të gjitha gratë dhe vajzat që përballen me këtë sëmundje, që pavarësisht të gjithave ka dritë në fund të tunelit. Ajo bën thirrje që ta shijojmë jetën dhe të mos presim sëmundje si kanceri apo diagnoza të tjera për të kuptuar rëndësinë e saj.

Klea Prifti: Unë jam farmaciste dhe punoj si inspektore shëndetësie. Sëmundja më bëri të shikoja të dyja anët e medaljes dhe të ngrija zërin më tepër për këto problematika. Punë të mira janë bërë në mjekësi, por shumë akoma duhet të bëhet dhe nuk na falet që nuk është bërë në këto vite. Ato që ndodhën në Onkologjik na kanë bërë të jetojmë me një frikë të madhe, por unë besoj se gjërat do të përmirësohen. 

Ka dritë në fund të tunelit. Ka jetë përtej kancerit. Kanceri nuk na përkufizon ,është vetëm një kapitull i jetës sonë. Unë e përdora për të ecur përpara. Shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën time pas sëmundjes. Por ne nuk duhet të presim një sëmundje si kanceri apo sëmundje të tjera për të kuptuar se sa e bukur është jeta dhe se sa e çmuar është çdo ditë e jona./vizionplus.tv

Read Entire Article