Atentati në “Don Bosko”, policia: Autori 23-vjeçar, është shpallur në kërkim

2 hours ago 27

Policia e Tiranës ka zbardhur atentatin e ndodhur në “Don Bosko” më 3 shtator 2024 ku mbetën të plagosur me armë zjarri Ronaldo Metushi dhe Kastriot Elezaj.

Denis Tahiri, 23 vjeç është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i atentatit. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.

“Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, njoftoi sot policia.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar.

Dy të plagosurit, Ronaldo Metushi dhe Kastriot Elezaj, po pinin kafe në momentin e ngjarjes. Ronaldo Metushi mori plumb në këmb, ndërsa Kastriot Elezaj në gjoks.

Në dëshminë e tyre ata kanë mohuar të kenë patur konflikte me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit.

Megjithatë, grupi hetimor ka dyshime se objektiv i sulmit ishte 45-vjeçari Elezaj,  për shkak të konflikteve që mund të ketë patur nga e kaluara. Më herët ai ka qenë i dënuar për prostitucion në Itali, krim për të cilin ka vuajtur edhe dënimin në vendin fqinj.

Asnjëri prej të plagosurve nuk ruhej dhe nuk kishte frikën e një atentati të mundshëm. Sipas dëshmisë së tyre, lëvizjet nëpër Tiranë i kishin normale dhe të përditshme. /vizionplus.tv

Read Entire Article