SPAK merr të pandehur deputetin socialist Plarent Ndreca, i komunikon akuzën përmes avokatit

2 hours ago 18

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Plarent Ndreca i cili është marrë i pandehur.

Përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, SPAK i ka komunikuar akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.

Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Bëhet fjalë për një tender që kishte për objekt rikonstruksionin e Drejtorisë Vendore e të Policisë Vlorë, Komisariatit Nr.4 në Tiranë, Komisariatin e Pogradecit dhe atë të Mirditës.

Nga procesi i auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit  gjeti mospërputhje dhe devijime ligjore në procedurat e prokurimit publik.

Po ashtu sipas KLSH u rrit në mënyrë të paargumentueshme vlera e kostos së ndërtimeve.

Ka qenë pikërisht ky institucion auditues që shkeljet i depozitoi në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Megjithatë, SPAK ende nuk e ka njoftuar zyrtarisht akuzën, ndërsa pritet në ditët në vijim që avokati i ligjvënësit t’i drejtohet strukturës antikorrupsion./vizionplus.tv

Read Entire Article