Rama në SHBA për Diasporën, kryeministri takohet në fundjavë me emigrantët që jetojnë në New York

3 hours ago 26

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer turit me emigrantët shqiptarë nëpër botë. Këtë të shtunë të 26 tetorit kreu i qeverisë ndalet në New York, ku do të takohet me emigrantët që jetojnë dhe punojnë në SHBA prej vitesh.

Teksa ka publikuar një video nga New Yorku, Rama shkruan në rrjetet sociale se është krenar për Shqipërinë që po përflitet kudo nëpër botë.

“Në New York për takimin me shqiptarët e Amerikës; krenar për Shqipërinë që sot përflitet me fjalë të mira kudo në botë dhe plotësisht i vetëdijshëm për sfidat e jashtëzakonshme të rrugës drejt majës së 2030, kur me fuqinë e bashkimit tonë përtej gardhit të sherrnajës së oborrit politiko-mediatik të Tiranës, do të ngremë flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e  Bashkimit Europian.

Pasnesër, e shtunë 26 tetor, në të parin takim pas vendosjes të së drejtës së çdo shqiptari jashtë Shqipërisë, për të zgjedhur drejtimin dhe udhëheqjen e vendit për katër vitet e ardhshme duke votuar nga aty ku banon jashtë atdheut”, shprehet Rama.

Shefi i mazhorancës po zhvillon takime në diasporë për shkak së në zgjedhjet e 2025, për herë të parë, pritet të mundësohet edhe vota emigrantëve shqiptarë.

Pas, SHBA-së, Rama do të ndalet për herë të dytë në Greqi, këtë herë, më 3 nëntor në Selanik. /vizionplus.tv

Read Entire Article