“Ka përmbajtje të dëmshme dhe krijon varësi”, BE fillon hetimet për TikTok-un

8 months ago 9

Brukseli njoftoi sot se do të hetojë platformën e mediave sociale TikTok për dështime në mbrojtjen e të miturve. Kjo është procedura e dytë e këtij lloji sipas rregulloreve të reja evropiane, pas asaj për platformën X, e cila u hap në dhjetor.

Komisioni Evropian shpjegoi se kishte filluar një procedurë zyrtare për të vendosur nëse TikTok, në pronësi të konglomeratit kinez ByteDance, kishte shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA).

Shqetësimet e hetuesit evropian të botës digjitale kanë të bëjnë veçanërisht me “mbrojtjen e të miturve”, “transparencën e reklamave”, “qasjen në të dhëna për studiuesit”, si dhe “risqet që lidhen me faktin se ai është projektuar në një farë mënyre, që të krijojë varësi dhe me përmbajtje të dëmshme”.

“Si një platformë që arrin miliona fëmijë dhe të rinj, TikTok ka një rol të veçantë për të luajtur në mbrojtjen e të miturve në internet”, i cili është një nga prioritetet e mëdha të DSA, tha Komisioneri Evropian i Tregut të Brendshëm Thierry Breton.

Kjo procedurë e shkeljes pritet të lejojë Komisionin Evropian të sigurojë që TikTok të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur mirëqenien fizike dhe emocionale të të rinjve evropianë, shpjegoi ai.

DSA hyri në fuqi të plotë të shtunën dhe detyrimet që ajo ofron tashmë po vendosen në të gjitha platformat në internet, nën kërcënimin e gjobave, për të mbrojtur më mirë përdoruesit nga përmbajtja e paligjshme. /vizionplus.tv

Read Entire Article