29 000 euro të padeklaruara janë sekuetsruar në doganën e Kapshticës dhe është proceduar penalisht një 41-vjeçar, që dyshohet se e posedonte këtë shumë.
Po ashtu janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas të tjerë që udhëtonin me këtë shtetas, me të cilët 41-vjeçari kishte ndarë shumën e parave, me qëllim që të shmangnin deklarimin e tyre, në dalje të Shqipërisë, siç përcaktohet me ligj.
Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti tip “Wagen Turan” me të cilin po udhëtonin në drejtim të Greqisë, shtetasit E. I., 41 vjeç, M. I., 23 vjeç dhe L. I., 20 vjeç, banues në Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në çantat e tyre u gjetën në total 29 000 euro të padeklaruara, shumë të cilën dyshohet se e posedonte shtetasi E. I., dhe e kishte ndarë me 2 shtetasit e tjerë, me qëllim që të shmangnin përgjegjësinë ligjore në momentin e kalimit në kufi.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestrua shuma monetare dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për të 3 shtetasit e mësipërm, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. /vizionplus.tv