KiE thotë se po shqyrton se si të procedojë për rastin e Kosovës

4 months ago 24
Reklamë

Kryesuesja e deritanshme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Hasler, që është ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, shteti i cili ka pasur udhëheqjen e presidencës së KiE-së, tha pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj se Kosova është përmendur në mbledhje nga shtetet anëtare.

“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo.

Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Kosova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Ministrave.

Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.

Më 16 maj, përmes një letre dërguar Këshillit të Evropës, Kosova tha se zotohet se do të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe të njëjtin do ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Me këtë zotim, Kosova tha se përmbushi kushtin e vënë nga disa anëtarë të Këshillit të Evropës dhe Prishtina kërkoi që të bëhet anëtare e kësaj organizate evropiane për të drejtat e njeriut.

Por, Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, tha se ajo konsideron si “hap konkret” vetëm kur Kosova të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Deri më tani, janë prezantuar disa draft-statute për Asociacionin, përfshirë një nga BE-ja në tetorin e vitit të kaluar.

Por, në letrën dërguar KiE-së, Kosova tha se mëton që të hartojë draftin e saj, duke u frymëzuar nga drafti i prezantuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung.

Në fund të janarit të vitit 2023, FES-i publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Albin Kurti./Radio Evropa e Lire/ 

Read Entire Article