Parlamenti ngriti sot me 74 vota pro dhe 6 kundër komisionin që do të synojë realizimin e reformave që nevojiten për anetarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që do te ketë në fokus luftën kundër korrupsionit.
Lidhur me këtë çështje foli sot në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, analisti Ergys Mërtiri.
Përmes një lidhjeje direkte me Skype, Mërtiri tha se ngritja e komisionit kundër korrupsionit është një hap për të mbrojtur punën që po bën SPAK kundër sulmeve që mund të bëhen nga të dyja palët, si nga opozita, si nga mazhoranca.
Mërtiri tha se edhe Rama vetë ka shqetësime nga SPAK, dhe se dukshëm po përdor mjete për ta penguar atë.
Pjesë nga intervista
Roland Zili: Si e shikoni ngritjen e këtij komisioni dhe a është koha e duhur për një komision të tillë në kuadër të reformës në drejtësi?
Ergys Mertiri: Koha e duhur është për t’u lënë SPAK të bëjë punën e vet. Për herë të parë kemi një institucion që po punon dhe po vë në vështirësi të gjithë të korruptuarit e skenës politike shqiptare. Madje po e frikëson të gjithë klasën politike shqiptare. Për herë të parë kemi një institucion që po rreshton një sërë figurash që po hyjnë në SPAK, një pjesë po hetohen dhe një pjesë tashmë kanë hyrë prapa hekurave dhe një pjesë ka marrë arratinë. Kjo bën të themi që këtu kemi një institucion që po lufton ata që historikisht janë konsideruar të paprekshëm. Për mua, është lajm i mirë që kemi një institucion që po punon në këtë drejtim dhe e vetmja gjë që duhet te klasa politike shqiptare dhe publiku është ta mbrojë këtë institucion nga sulmet që vijnë nga të dyja palët, si nga opozita nga Sali Berisha edhe nga vetë Edi Rama, i cili dukshëm ka shqetësimet e veta nga SPAK dhe dukshëm do të gjejë mjete që ta pengojë atë…Unë besoj që shqiptarët në përgjithësi nuk kanë arsye të besojnë te garancitë e Edi Ramës, sepse garancitë e Edi Ramës , Rama e ka humbur shansin për të na bërë të besojmë te garancitë e tij. Ka 12 vjet në pushtet që nuk prodhoi atë që premtoi. Në 12 vite prodhoi zhytje të vendit në korrupsion.
/vizionplus.tv/.