Kreditë e vogla konsumatore që jepen me një mjet identifikimi dhe me norma interesi të larta shpesh herë janë në qendër të debateve lidhur me riskun që ato paraqesin, si për konsumatorët ashtu dhe për huadhënësit. Mikrofinanca është hallka e tregut që i shërben konsumatorëve që janë të paformalizuar apo me njohuri të pakta, siç janë fermerët, individët dhe bizneset e vogla që nuk marrin dot kredi në bankë. Arlinda Mujo president e kësaj shoqate tha se ka një perceptim të gabuar që kompanitë e mikrofinancës pranojnë çdo aplikim.
“Mund t’ju them që niveli i refuzimeve nga ana jonë është në nivelin e 70%.Pra ne refuzojmë 70 % të aplikantë të rinj. Para se të japim një kredi analizojmë 133 parametra. Ku i marrim ne këto? Kemi regjistrin e kredive. Thjesht, shpeshtësia e marrjes një kredie, lloji që ke marrë, kolaterali që ke ofruar, ditët me vonesë që ke akumuluar, bëjnë diferencën dhe krijojnë profilin e një kredimarrësi, i cili ka marzhin e gabimit 15%. Bëhet analizë automatike dhe jo humane. Kjo është arsyeja pse jepet kaq shpejt një kredi në sistemin tonë”, sqaroi Mujo në emisionin E-ZONE në Vizion Plus.
Janë një sërë hapash që ndiqen nga institucionet për të kontaktuar kredimarrësin e cili nuk paguan më kredinë. Duke nisur që nga njoftimet me telefon, letra, vizita në banesë, kontakt institucional. Sipas rregullores, kreditë e vogla duhet të fshihen pas 365 ditë vonesë. Dy janë rrugët që ndiqen më pas:
“Së pari çohet në gjykatë për të marrë një vendim e për t‘ja deleguar përmbaruesve. Ndërsa rruga e dytë është shitja e kësaj kredie tek kompanitë borxhmbledhëse. Problem është që këto kompani janë krijuar vonë, ndërsa kreditë i përkasin një 10 –vjeçari ose dhe më shumë. Mbledhja e kredive është biznes. Nëse ata kanë 100 klientë për të gjetur, por gjejnë 10 ata do të merren me këta 10 të cilët mbajnë kostot edhe për ata që nuk gjendjen dhe nuk i merret dot detyrimi. Dukuria e shitjes së kredive të këqija duhet të ekzistojë sesi bankat duhet të shkarkojnë kreditë që nuk mblidhen. Nuk kemi burime njerëzore për t’i fokusuar në këtë dukuri, ndaj kompanitë borxhmbledhëse janë të nevojshme”, sqaroi Mujo.
Sipas shoqatës së mikrofinancës është e nevojshme që të ketë një ndarje mes kompanive të mikrofinancës dhe atyre që mbledhin detyrimet e prapambetura. Sipas Mujos nuk mund dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje sistemi, vetëm prej dy kompanive./vizionplus.tv