Nga Rajmonda Lajthia
Fundi i vitit 2023 shënoi edhe një valë të re të shtrenjtimit të normave të interesit, për thuajse të gjitha llojet e kredisë.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë flasin se normat e interesit si në lekë edhe në euro për individët dhe biznesit shënuan rritje.
Ndërsa një rënie të lehtë shënoi kredia për blerje banese, në raport me tremujorët paraardhës. Kreditë konsumatore arritën në 9.8 % nga 9.3, kredia hipotekare nga 4.1% që ishte më parë. Njëkohësisht kreditë në euro për biznesin arritën në 6.8 nga 6.4%.
Banka e Shqipërisë thotë se megjithë rritjen e kostove, kredidhënia nuk është frenuar
“Pavarësisht rritjes së normave të interesit për kredinë e re në muajin dhjetor, mund të themi se normat e interesit nuk janë dekurajuese. Ato nuk kanë ndikuar negativisht as në kërkesën e re dhe as në frenimin e kreditimit. Madje 2023 u mbyll me një rritje të kredisë në total prej 8% dhe kjo rritje ishte me bazë të gjerë, si për individët edhe për biznesit madje dhe për llojin e përdorimit të saj”, u shpreh Rajna Hoxholli nga departamenti i politikës monetare në Bankën e Shqipërisë.
Por teksa kredia e re shënoi rritje të normave të interesit, por kredimarrësit me kontratë ekzistuese a do të hasin ndryshime të kostove?
“Kredidhënia dominohet nga norma interesi të ndryshueshme dhe përfaqësohet me gati 80% të portofolit. Normat e interesit indeksiohen sipas normave të bonuseve të thesarit, ato janë sinjali më i mirë i politikës monetare. Ndaj që pas vendimit të fundit të muajit nëntor ne shohim se edhe kreditë ekzistuese sipas kontratave vjetore dhe ato të rejat kanë një rritje të ngjashme të normave”, sqaroi Hoxholli
Teksa inflacioni gjatë muajit janar arriti në 3.4% duke ju afruar objektivit, cili do të jetë skenari i bankës qendrore, sa i përket politikës monetare?
“Preferenca jonë është që hapat e mëtejshëm të politikës monetare të jenë të matur dhe gjithmonë të bazuar në të dhënat dhe sinjalet si nga tregu financiare dhe ai ekonomike. Ndaj vendimmarrja dot ë vlerësohet hap pas hapi në varë të ecurisë”, tha ajo.
Gjatë 2022 banka rriti 5 herë normën bazë të interesit për lekun dhe 2 herë gjatë 2023. Aktualisht norma e interesit të lekut është në nivelet e 3.25%./vizionplus.tv