Ditët e fundit këshillat bashkiakë në disa bashki kanë miratuar rritjen e pagave për kryetarët dhe stafin, në varësi të mundësive financiare që ka secila bashki dhe duke ju referuar tavaneve të përcaktuara nga ministria për pushtetin vendorë.
Rritja e tyre ka bërë që pagat e kryetarëve të arrijnë në disa milionë lekë, por shumë prej punonjësve nuk kanë përfituar. Por si qëndron e vërteta?
Adelina Farrici, drejtore e shoqatës për autonomi vendore, e ftuar në Vizion Plus në emisionin “E-ZONË” ka sqaruar se si qëndron e vërteta.
“Këshillat bashkiak janë në të drejtën e tyre ligjore të përcaktuar, për të rritur pagat sipas tavaneve të përcaktuar. Disa bashki që kanë mundësi financiare i kanë rritur pagat në maksimumin e lejuar. Disa të tjera janë në nivel mesatar. Por sa më shumë që të rritet paga e lidershpit, pra e kryetarit, aq më shumë rritet edhe paga e punonjësve, ndaj në disa raste është vetë këshilli bashkiak që kuron rritje page në tavanet maksimale, ku sigurisht më të lartën e përfiton hierarkia, që është kryetari“, sqaroi Farrici në “E-ZONE”.
Sipas Farricit reforma e pagave për pushtetin lokal ka një mangësi, pasi nuk është gjithëpërfshirëse.
“Rritja e pagave prek vetëm ata punonjës që janë me status të nëpunësit civil. Pjesa e tjetër, ata që trajtohen me kod pune si dhe ata që janë punonjës pa diplomë të shkollës së lartë nuk përfitojnë nga kjo reformë pagash. Unë kam shumë ankesa që vijnë nga bashkitë për të zgjidhur këtë problem. Ata po kërkojnë bazë ligjore që ta zgjidhin këtë problem. Por është detyrë e qeverisë që të bëjë ndryshimet e nevojshme për punonjësit me kod pune, të cilët nuk janë të paktën të numër në të gjithë bashkitë“, tha Farrici.
Qeveria qendrore dha një fond për bashkitë që të rrisin pagat. Por një pjesë nga kjo rritje pushteti lokal duhet ta përballojë me të ardhurat e veta. Kjo është një skemë e cila nxit bashkitë që të mbledhin sa më shumë para që të kenë mundësi të rrisin pagat e tyre në tavanet maksimale të miratuara.