Grupi “OTP”: Prezenca në Shqipëri, një histori suksesi. Planet tona për të ardhmen

1 week ago 23

Grupi bankar hungarez “OTP” operon në Shqipëri prej gjashtë vitesh, kohë kur hyri në treg nëpërmjet blerjes së bankës “Societe Generale”.

Që nga ajo kohë e deri më sot “OTP Bank Albania” ka shënuar një rritje të shpejtë edhe si pasojë e blerjes në vitin 2022 të një tjetër banke, “Alpha Bank”.

Sot kjo bankë  zotëron rreth 10% të tregut, por ambiciet e grupit nuk ndalen këtu. Sándor Csányi, CEO dhe kryetar i bordit të grupit “OTP”, në një intervistë ekskluzive për emisionin “E-ZONE”, në Vizion Plus thotë se ka plane për zgjerim të mëtejshëm në tregun shqiptar.

Pjesë nga intervista:

Rajmonda Lajthia: Është bërë tashmë gjashtë vite që jeni pjesë e tregut shqiptar. Si e konsideroni këtë përfshirje? A mund të thuhet se është një histori suksesi?

Dr. Sándor Csányi: Është absolutisht një histori suksesi. Patëm fat që blemë një bankë shumë të mirë, me një menaxhim të shkëlqyer. Ky menaxhim dhe kushtet që u krijuan na mundësuan të realizonim blerje të reja. Aktualisht, madhësia e bankës nuk është ende në nivelin që do të dëshironim, por është një madhësi e arsyeshme, duke zënë rreth 10% të tregut. Situata makroekonomike e vendit është e mirë dhe rentabiliteti i bankës është i kënaqshëm. Në tërësi, jemi investitorë të kënaqur.

Rajmonda Lajthia: Cilat janë planet tuaja për të zgjeruar më tej pjesën e tregut? A planifikoni të blini një bankë tjetër apo të rriteni në mënyrë organike?

Dr. Sándor Csányi: Hapi i natyrshëm është të përpiqemi të rrisim pjesën e tregut përmes rritjes organike. Vetëm pak ditë më parë morëm vendimin për një program zhvillimi në digjitalizimin e tregut shqiptar. Po investojmë shumë në teknologji dhe besoj se shumë shpejt do të vërehet në treg. Shpresoj që së shpejti çdo klient të shikojë përmirësime të mëdha dhe ne të jemi liderë në këtë fushë. Jemi gjithashtu aktivë në vëzhgimin e tregut për mundësinë e blerjes së një banke tjetër. Në një treg të vogël si Shqipëria nuk është e nevojshme të ketë kaq shumë banka, sepse në fund të fundit, asnjëra nuk do të jetë mjaftueshëm e fuqishme për të gjeneruar fitime të qëndrueshme. Shpresoj, dhe jam pothuajse i sigurt, që do të ketë një konsolidim në treg dhe ne synojmë të jemi pjesë e atij procesi.

Rajmonda Lajthia: A keni ndonjë plan konkret apo pritshmëri për blerje të ardhshme?

Dr. Sándor Csányi: Jo për momentin, pasi nuk kemi parë ende ndonjë bankë që të jetë në shitje. Kemi synime, por koha për realizimin e tyre nuk është ende e përshtatshme.

Rajmonda Lajthia: Përveç sektorit bankar, a keni ndonjë plan konkret për të investuar në sektorë të tjerë?

Dr. Sándor Csányi: Sektori i sigurimeve është një mundësi. Pas vitit 2028, mund të zgjerohemi në këtë drejtim, pasi deri atëherë kemi një kontratë me grupin. Ndërkohë, nëse shoh ndonjë mundësi të mirë, do të isha i interesuar në sektorë si ushqimi, bujqësia, turizmi dhe të ngjashëm.

*Pjesë nga intervista me CEO-n dhe kryetarin e bordit të grupit “OTP” Dr. Sándor Csányi. Intervistën e plotë e gjeni në “YouTube”.

Linku…

Read Entire Article