Projektligji ekonomik më i rëndësishëm siç është buxheti i shteti për vitin që vjen, për ekspertetët e fushës e ka një emër. Ai konsiderohet si buxheti i vazhdimësisë së mazhorancës socialiste.
Eduard Gjokutaj, ekspert ekonomie duke komentuar shifrat e ligjit ekonomik tha se me një rritje ekonomike prej 3.9% në vitin që vjen, situata ekonomike nuk pritet të ketë ndryshime për xhepat e qytetarëve.
“Unë do ta konsideroja buxhetin e vazhdimësisë së qeverive socialiste edhe pse ato nuk e kanë në thelb pjesën sociale dhe nuk e kanë patur të paktën shtatë vitet e fundit, pasi i kanë hyrë rrugës së vështirë dhe të mundimshme duke fokusuar paratë të investimet publike më shumë sesa tek dimesioni social, me qasjen e mirë se do të zhvillohet Shqipëria”, tha Gjokutaj.
Gjokutaj vijon më tej gjatë një interviste për Vizion Plus se rritja ekonomike e parashikuar, prej 3.9 % është nën potencial.
“Po të shohim buxhetin, shohim se 60% e shpenzimeve shkojnë për qeverinë dhe institucione lidhur me të. Ndërsa pjesa e mbetur janë pensionistët, mbrojta sociale etj. Dukshëm kjo ndarje është në propocion jo të drejtë. Ndërkohë që nuk shohim që ky buxhet të godasë fenomene të tilla si varfëria, emigrimi etj”, tha Gjokutaj.
Përgjatë gjithë muajit nëntor buxheti do të diskutohet në komisionet parlamentare, aty ku mund të pësojë ndryshime të mundshme në sektorë të caktuar.