Krijohet Komiteti i Përbashkët i Industrisë për matjen e audiencës, palët bien dakord në tryezën e AMA-s

7 months ago 29
Reklamë

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka organizuar sot, tryezën e dytë me temë, “Matja e audiencës në tregun audioviziv shqiptar dhe modalitetet për realizimin e këtij procesi”.

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë drejtues të operatorëve që prodhojnë përmbajtje apo programe audiovizive dhe të agjencive të reklamave që operojnë në treg, në këtë takim është rënë dakord për ngritjen e Komitetit të Përbashkët të Industrisë me 9 anëtarë dhe formulën e krijimit të këtij Komiteti.

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka shprehur një herë rëndësinë e një procesi të saktë dhe të besueshëm të matjes së audiencës, si një instrument i domosdoshëm për realitetin e tregut audioviziv shqiptar, për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë, por edhe për forcimin e transparencës së këtij tregu.

Siç u vendos në tryezën e parë, të organizuar më 15 janar, takimi ka nisur me shembuj të marrë nga vende të tjera të rajonit dhe Europës, mbi metodologjinë e zbatuar në këto vende, në mënyrë që të zgjidhet varianti më i mirë dhe më i përshtatshëm për tregun audioviziv shqiptar.

Pas diskutimesh për metodologjinë që do të zbatohet, palët kanë rënë dakord për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Industrisë, si një ent organizator e vendimmarrës i procesit të matjes së audiencës. Formula e pranuar është me 9 anëtarë, ku bëjnë pjesë: përfaqësues të 3 televizioneve private me licencë kombëtare, përfaqësues të 3 televizioneve rajonale, Televizioni Publik dhe dy anëtarë nga shoqata e agjencive të reklamave.

Formula e pranuar gjerësisht do të zbatohet pas kohës së kërkuar nga përfaqësuesit e televizioneve rajonale për të studiuar shembujt e marre nga vende e rajonit dhe pasi të vendosin mes tyre për mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesve të tyre.

Në cilësinë e autoritetit rregullator të pavarur, AMA do të vazhdojë rolin e vet nxitës deri në krijimin e KPI si dhe duke dhënë ndihmën e vet, sipas nevojës, për metodologjinë që do të zbatohet për matjen e audiencës.

Vlerësimi i shikueshmërisë është tregues i sasisë dhe përbërjes së audiencës për programet televizive. Me këtë informacion, OSHMA-të mund të rregullojnë përmbajtjen e programeve të tyre dhe oraret e transmetimit, në përgjigje të reagimit të audiencës. Realizimi i matjes së audiencës është domosdoshmëri për realitetin e tregut audioviziv shqiptar, si një instrument i rëndësishëm për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë, për forcimin e transparencës në tregun audioviziv, rritjen e shumëllojshmërisë së shërbimeve audiovizive etj.

Top Channel

Read Entire Article