Për herë të parë në fushatën e saj presidenciale, zëvendëspresidentja demokrate Kamala Harris vizitoi kufirin SHBA-Meksikë. Ajo bëri thirrje për kufizime më të ashpra për emigrantët ilegalë dhe u zotua se do të ndalojë futjen e fentanilit në Amerikë.
“Unë do të ndërmarr veprime të mëtejshme për të mbajtur kufirin të mbyllur. Ata që kalojnë kufijtë tanë në mënyrë të paligjshme do të ndalohen të hyjnë përsëri për pesë vjet. Ne e kuptojmë se shumë njerëz janë të dëshpëruar për të emigruar në Shtetet e Bashkuara, por sistemi ynë duhet të jetë i rregullt dhe i sigurt”.
Harris tha gjithashtu se politika e saj do të krijonte një program human të imigracionit. Kjo pasi rreth 7 milionë emigrantë janë arrestuar duke hyrë ilegalisht ne kufirin SHBA-Meksikë gjatë administratës së Joe Biden .
“Unë hedh poshtë zërat që sugjerojnë se duhet të zgjedhim mes kufirit tonë dhe krijimit të një sistemi emigrimi të sigurt dhe të rregullt. Ne mund dhe duhet t’i bëjmë të dyja”.
Ajo akuzoi rivalin e saj republikan Donald Trump se po përdor një retorikë të ashpër ndaj emigrantëve.
Kamala Harris e fajësoi ish-Presidentin amerikan edhe për bllokimin e një projektligji gjithëpërfshirës të sigurisë kufitare që do të kishte penguar zinxhirin e furnizmit me fentanil.
Ky i fundit është bërë shkaku kryesor i vdekjes për amerikanët midis moshës 18 dhe 45 vjeç.