Kryebashkiakët, “gjahu” i SPAK, verifikime për 18 drejtues të pushtetit vendor

5 months ago 26
Reklamë

Nga Blerina Cene

12 kryetarë dhe ish-kryetarë bashkish kanë përfunduar në SPAK. Për një periudhë 5-vjeçare, Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur dhe ka kryer hetime për ta nën akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës apo shkeljes së barazisë në tendera.

Por për ish-prokurorin Besnik Muçi hetimet përqendrohen në veprimet apo mosveprimet e drejtuesve vendore dhe nuk thellohen në aktivitetin e paligjshëm financiar sipas parimit, “Ndiq paranë”.

“Nga pikëpamja e metodikës së hetimit dhe mjeteve të kërkimit të provës, këtu përdoren vetëm mjetet e të provës, kallëzimi, marrja e dokumenteve, analiza e dokumenteve, e shumta sekuestrimi i aparatit celular. Ligji parashikon, ka përgjime, vëzhgime, filmime, veprime të simuluara, infiltrime, asnjë nga këto metoda hetimi nuk përdoret. Këto janë metoda që hetimi të shkojë në thellësi dhe në gjerësi, të kemi një hetim të gjithanshëm”, shprehet ish-prokurori Besnik Muçi.

Edhe avokati penalist, Altin Kaziaj thotë se Struktura e Posaçme duhet të zgjerojë hetimet për zyrtarët.

“Është një fillim, pavarësisht se kërkohet gjithmonë e më shumë, po struktura e Prokurorisë së Posaçme është e limituar. Nuk mundet që të hetojë struktura e SPAK dhe vartësit e saj të BKH një zullum të madh që po ndodh në Shqipëri, nga këta persona që shkojnë në një pozicion të lartë publik dhe vetëm për të kryer paligjshmëri dhe për të bërë shkelje të ligjit penal. SPAK duhet të tregojë veten, deri diku e ka treguar pjesërisht”, thotë avokati Altin Kaziaj.

Juristët janë të te njëjtit mendim kur thonë se zyrtarët përgjatë kohës që kanë ushtruar detyrën e qytetarit të parë kanë besuar se nuk do të përfundojnë në bankën e të akuzuarve.

“Në dorë një kryetar bashkie ka shumë gjëra, nga administrimi i bashkisë, qytetarëve të vetë, taksat dhe detyrimet vendore, plus edhe bërja e tenderave apo e ankandeve publike, joshin këta kryetarë të hetuar apo personat e lidhur me ta. Mospasja frikë e ligjit i bën këta pushtetarë të ndihen të gjithëpushtetshëm”, shprehet avokati.


“Ka një lloj besimi të këtyre personave që ushtrojnë funksione publike që kryejnë vepra penale që nuk do të ndiqen penalisht. Janë vepra penale që kryhen në mënyrë shumë të dukshme, me shumë gjurmë me shumë prova, me shumë lidhje të thjeshta të fakteve. Ky është një fakt që tregon se krimi është bërë malinj, krimi i korrupsionit, sikurse del në të gjitha raportet ndërkombëtare, krimi i pastrimit të parave, që në gjykimin tim e ka pushtuar shoqërinë tonë“, thotë ish-prokurori Besnik Muçi.

Në total përgjatë viteve 2019-2024, SPAK thotë se janë referuar gjithsej 65 kryetarë bashkie, ku për 34 prej tyre është vendosur mosfillim i hetimeve, ndërsa 18 të tjerë po verifikohen./vizionplus.tv/

Read Entire Article