Espanyol prezanton Marash Kumbullën. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është shfaqur përpara mediave.
Pavarësisht se ka luajtur ndeshjet e para me Espanjolin, vetëm dje Kumbulla është prezantuar me klubin e ri.
Kur erdhi radha për të folur, 24-vjeçari u shpreh se ndihet mirë në Spanjë:
“Shumë i lumtur që jam këtu, kur më lindi rasti, bëra të pamundurën për të ardhur këtu. Jam ndier shumë mirë këto tri javë, gjithçka ka qenë pozitive brenda dhe jashtë fushës dhe shpresoj që gjithçka të vazhdojë kështu”, thotë fillimisht mbrojtësi.
Kumbulla ka falënderuar besimin e marrë, si nga trajneri Manolo Gonzales, ashtu edhe nga tifozët, të cilët janë të kënaqur me paraqitjen e tij, duke shpjeguar se ka mbetur i befasuar nga përshtatja e tij e shpejtë, gjë për të cilën është pritur nga shokët e skuadrës dhe stafi.
Sa i përket asaj se çfarë ai pret me bardheblutë këtë sezon, Kumbulla ka pranuar se bëhet fjalë për të luajtur sa më shumë dhe për të arritur objektivat kolektive të skuadrës, pavarësisht se për momentin ai mendon vetëm që të jetë në lojë çdo ndeshje.
Në fund, Kumbulla u pyet nëse kishte folur me bashkëkombësin e tij, Keidi Bare, në lidhje me Espanjolin: “Më ka folur vetëm për gjëra pozitive për Espanjolin, nuk më ka thënë asgjë jo pozitive.
Gjithashtu kam folur më parë me Garagarzën (drejtori) dhe Manolon (trajneri), por kur gjithçka përkoi, nuk kisha asnjë dyshim për ardhjen në Espanjol”, u shpreh Kumbulla gjatë prezantimit. Ndeshja e radhës me klubin e tij të ri do të jetë nesër kundër Alaveshit në shtëpi.