Leskoviku po tërheq gjithnjë e më shumë turistë në vitet e fundit. Operatorët thonë se interesi është i lartë si nga vizitorët vendas, ashtu edhe nga ata të huaj.
“Këto dy vite kanë qenë shumë të ngarkuar me turistë. Ka shumë të huaj, por edhe vendas. Turistët vendas nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani. Ka turistë që vijnë për fundjava, ka turistë që vijnë për një natë, ka turistë të huaj që rrinë 2 netë”, thotë operatori turistik Ilirjan Mezini.
Një familje ka udhëtuar nga Zvicra sepse i pëlqen natyra e kësaj zone dhe mikpritja e banorëve.
“Është hera e parë jona në Shqipëri, kemi parë pak gjëra deri tani por duket një natyre fantastike dhe njerëzit janë shumë mikpritës”, shprehet një vizitor.
“Unë vërtet e dua natyrën këtu kam parë shumë lopë rrugës, njerëzit janë kaq mikpritës, na kanë ndihmuar shumë, ndihemi shumë rehat këtu”, shprehet gruaja e tij.
Nardi Konica dhe familja e tij janë banorë të vjetër të Leskovikut. Turistët sipas tij e vizitojnë krahinën per gjithçka ajo ofron
“Leskoviku ofron shumë resurse, Shelegurin, pyjet e Shelegurit. Kishën e Cerskës”, thotë ai.
Vitin e kaluar gjatë sezonit turistik Leskoviku dhe fshatrat turistike janë vizituar nga me shume se 15 mijë turistë. /vizionplus.tv