Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Shkup, në kuadër të takimit për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor të miratuar nga BE.
Të pranishëm janë kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë Edi Rama, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit James O’Brien, dhe kreu i BDI Ali Ahmeti. Ndërsa Bosnjë Hercegovina përfaqësohet nga ministri i Fianancave.
Gazetarja e Vizion Plus, Enkelejda Mema e cila po ndjek nga afër këtë Samit në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “7pa5” ka ndarë detaje se çfarë pritet të prodhojë ky Samit. Fokusi i diskutimeve do të jetë paketa prej 6 miliardë eurosh që BE do të japë si mbështetje për Ballkanin Perëndimor. Paketa do të shfrytëzohet përgjatë 3 viteve, nga viti 2024 deri në 2027.
Enkelejda Mema: Do të diskutohet plani i zhvillimit ekonomik që BE ka vendosur për Ballkanin Perëndimor. Do të diskutohet paketa 6 miliardë eruo që BE ka vendosur për Ballkanin Perëndimor, paketë e cila do të shfrytëzohet nga viti 2024-2027.
Është kjo shumë të cilën liderët e Ballkanit Perëndimor do të shfrytëzojnë këto tre vite për projekte të përbashkëta.
Bosnjë-Hercegovina përfaqësohet nga ministri i Financave, ndërsa Serbia nga Vuçiç. Interesant është fakti që në tavolinë do të ulet Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit James O’Brien dhe nuk mungon as i biri i George Soros.
Kemi një ngecje të procesit të anëtarësimit në BE për sa i përket integrimit të Shqipërisë. Çëshja Beleri është kthyer në një pengesë dhe ka bllokuar mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare e cila është edhe çelja zyrtare e negociatave për Shqipërinë.
Dje në darkë liderët kanë pasur një darkë informale. I pranishëm ka qenë Rama dhe Kurti por edhe Presidenti Vuçiç. Kurti ka publikuar një foto ku ka qenë në prezencë të Vuçiç dhe Ramës. Këtej kemi një përplasje për dialogun ndërsa nga ana tjetër bëjmë foto dhe i publikojmë ato. Duhet të presim nëse do të kemi një takim dy palësh mes Ramës dhe Kurtit, marrëdhënia e të cilëve nuk ka qenë më e mira kohët e fundit. Duhet të presim të shohim se çfarë do të prodhojë ky Samit jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ana politike.
Agjenda zyrtare për Samitin sot:
Sipas programit, para fillimit të takimit, kryeministri Kovaçevski si dhe pjesëmarrësit zyrtarë do të kenë një deklaratë për media në orën 09:00.
Deklarata për media pritet të kenë edhe Aleksandar Vuçiç, President i Republikës së Serbisë, Edi Rama, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Albin Kurti, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Milojko Spajic, Kryeministër i Qeverisë së Malit të Zi, Srgjan Amixhiq, Ministër i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Xhejms O’Brajan, Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
Sipas programit, pas fjalëve hyrëse, në orën 09:50 vijon takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor nga rajoni.
Në takimin e liderëve, video-fjalim do të ketë edhe Borjana Krishto, kryesuese e Këshillit të ministrave të Bosnje Hercegovinës.
Në mënyrë plotësuese, në takim do të marrin pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, si dhe kolegë të tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjithashtu, do të marrin pjesë përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, CEFTA dhe Forumit të Odave të Investimeve të Ballkanit Perëndimor-6, USAID-i, më pas Fondacioni i Shoqërisë së Hapur, Qendra për Evropën, Këshilli Atlantik, si dhe disa institucione financiare ndërkombëtare, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore.
Më pas, në orën 12:15 është planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp./vizionplus.tv