“Luftoni korrupsionin” Ambasadori i BE: Është rruga e vetme që Shqipëria të hyjë në union

6 months ago 21

 Për Bashkimin Evropian, lufta ndaj korrupsionit është rruga e vetme që duhet të ndjekë Shqipëria për të qenë sa më parë anëtare e familjes europiane. Nga Shkodra, ambasadori i BE-së Silvio Gonzato e cilësoi reformën në drejtësi si instrumentin e vetëm që garanton pavarësinë e sistemit dhe siguron që ai të jetë përgjegjshëm ndaj qytetarëve.

 “Mendoj se është shumë e rëndësishme që, institucioni i posaçëm që u krijua pikërisht për t’u marrë me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, tani po sjell disa rezultate. Mendoj se i jep besueshmëri vendosmërisë së Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, sepse korrupsioni është i dëmshëm për shoqërinë, është i dëmshëm për ekonominë, kështu që nëse Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, është e qartë rruga që duhet ndjekur.  Ky duhet të jetë një nga prioritetet e Shqipërisë dhe duhet të çojë në rezultate konkrete. Pra, e dini, unë kam besim në sistemin e drejtësisë shqiptare”, tha Silvio Gonzato.

 Sipas kryediplomatit të BE-së, sistemi i ri i drejtësisë po i përballon presionet politike dhe kreu i SPAK, Altin Dumani po bën i pashqetësuar punën e tij.

 “Reforma e 2016-ës synonte konkretisht të garantonte që sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur, të jetë i vetëqeverisur dhe prandaj është rezistent dhe elastik ndaj presioneve politike. Kështu që unë i diskutova këto gjëra edhe me z. Dumani dhe ai është i bindur, po bën punën e tij dhe mendoj se duhet të qëndrojë i qetë dhe të vazhdojë. A ka presion nga politika? Nuk më takon mua ta them, por ai nuk duket se ishte i shqetësuar për këtë”, tha Silvio Gonzato.

Ulja e notës së pranimit për magjistratët e rinj dhe mbyllja e disa gjykatave në rrethe, për ambasadorin e BE-së erdhën si pasojë e reformës në drejtësi, por që po monitorohen nga faktori ndërkombëtar për të bërë korrigjimet e nevojshme.

“Është një proces që kërkon kohë. Dhe ajo që po shohim tani që edhe me sistemin e vetingut, e dini, do të thoshte që një sërë magjistratësh duhej të linin profesionin sepse nuk përmbushnin standardet e vettingut. Pra jemi në një situatë të, jemi në një fazë tranzicioni ku pikërisht ne duhet të sigurojmë që rekrutët e rinj të kenë aftësitë e nevojshme për të zbatuar siç duhet ligjet. Ka edhe procese të tjera që po shqyrtohen edhe nga pikëpamja legjislative. Kur fut një reformë, nuk mund të parashikosh gjithçka. Duhet të shikosh mënyrën se si zbatohet dhe më pas të kuptosh se ndoshta të duhen disa ndryshime aty-këtu, duhet të futësh disa dispozita që ofrojnë garanci më të mira ose që u japin autoriteteve gjyqësore mjetet që u nevojiten”, u shpreh ambasadori.

Diplomati ishte në Shkodër për të diskutuar me studentët e fakultetit të Drejtësisë në universitetin “Luigj Gurakuqi” mbi temën “Gjyqësori në fokus, transparenca në gjykata”, si pjesë e projektit të financuar nga delegacioni i Bashkimit Europian./vizionplus.tv/

Read Entire Article