Lulëzimi i biznesit AirBnb, ekspertja: Shkak numri i lartë i turistëve, mungojnë strukturat akomoduese të hotelerisë

8 months ago 19

Zgjerimi i sektorit të qirasë ditore, i nxitur nga fluksi i turistëve të huaj, është rritur ndjeshëm. Në total, të ardhurat e gjeneruara për vitin 2023 në Shqipëri ishin rreth 53,8 milionë dollarë, sipas AirDNA, e cila analizon statistikat për strukturat e akomodimit me qira ditore nga platforma Airbnb.Në raport me një vit më parë, të ardhurat e fituara nga këto struktura u rritën 86%.

Ekspertja e ekonomisë, Erjola Hoxha, e ftuar në emisonin “7pa5” të moderuar nga Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova tha se ky biznes do të vijojë të lulëzojë për shkak të numrit të lartë të turistëve që vizitojnë vendin tonë dhe për shkak se mungojnë strukturat akomoduese të hotelerisë.

Ekspertja Hoxha: Ky biznes nuk do të vazhdojë të jetë më i palegalizuar për shkak të një suksesi që ka pasur tre vitete e fundit. Kjo lidhet edhe me numrin e lartë të turistëve që kanë vizituar vendin tonë. Formalizimi i këtij biznesi ka filluar nga 1 janari. Shqipëria ka një sukses të jashtëzakonshëm në këtë biznes. Qiraja ditore është shumë herë më e ulët në krahasim me vendet e tjera. Në kryeqytetet evropiane çmimi varion nga 10-20 mijë lekë të reja.

Për sa i përket numrit më të lartë të apartamenteve me qira ditore, ekspertja tha se kryeson Vlora dhe Saranda, por nuk mbetet pas as Tirana. Gjatë verës turizmi është shumë i lartë në dy qytetet bregdetare.

Sipas ekspertes, për shkak të paketës së re fiskale, e cila do të taksojë edhe profesionet e lira, shumë pronarë apartamenesh kanë vendosur që t’i mbyllin këto biznese.

Ekspertja Hoxha: Pas bërjes publike të paketës fiskale që prek dhe qiratë ditore, shumica kanë deklaruar që do të shkojnë drejt mbylljes. Por ndodh që të kemi edhe një kapërcim, ata që nuk mund të përballojnë taksat, e kanë dhënë me qira te një person tjetër, por për një afat më të gjatë. Fakti që është qira ditore, dhe një ditë mund të ketë, një ditë s’ka turistë çon drejt mbylljes, pasi taksa është e detyrueshme, duhet paguar. Shteti ka ofruar dy zgjidhje lidhur me numrin e lartë të personave që zgjedhin të mbyllin biznesin. Ose të regjistrohen me TVSH 6%, ose tatim fitim 15%.

Ekspertja mendon se ky është një biznes që ia vlen. Në këtë rast, të gjithë personave që kanë ndërmarrë një hap të tillë, duke pasur parasysh numrin në rritje të turistëve të huaj, i bën thirrje që mos ta mbyllin biznesin sepse do të kenë fitim edhe nëse regjistrohen dhe i bëjnë gjërat sipas ligjit./vizionplus.tv

Read Entire Article