Lumi Kongo del nga shtrati në kryeqytetin Kinshasa, kërcënon shtëpitë e bizneset (fotot)

8 months ago 32
Reklamë

Lumi Kongo ka përmbytur shtratin e tij në kryeqytetin e Republikës Demokratike të Kongos, Kinshasa, duke vërshuar me një erë të rëndë në shtëpitë dhe bizneset e zonave më të varfra të megaqytetit afrikan.

“Në fillim uji arrinte deri në gjunjë, por tani arrin deri në gjoks,” tha operatori i varkës Didier Kayenga per rrjetin AFP.

Metropoli i varfër me rreth 15 milionë banorë është vendosur rreth shtratit të lumit të dytë më të madh në Afrikë, pas Nilit, i cili është fryrë në nivele rekord javët e fundit.

Kinshasa është e përshkuar kudo me lumenj e degëzime ujore që shpesh funksionojnë dhe si kanalizime natyrale urbane, por ato janë përmbytur tashmë duke ndotur vendbanimet.

Në zonën Pompage, një urë mbi degën lokale të lumit është mbuluar nga uji, duke krijuar një pellg të madh të ndotur në mesin e zonës së banuar.

Në vend të urës banorët tashmë duhet të përdorin kanoe të improvizuara, që shtyhen nga burra që rrinë në ujë deri në mes, kundrjet pagesës 500 franga kongoleze.

Niclette Luzolo, parukiere 32-vjeçare në Pompage, tha se shtëpia e saj ishte përmbytur.

“Është shkatërruar çdo gjë. Unë po fle në kishë bashkë me katër fëmijët e mi, aty po na pickojnë mushkonjat”, thotë ajo.

Vendasit thonë se përmbytjet e këtij viti janë më të këqija se zakonisht.

Matjet në Kinshasa tregonin se niveli i ujit ishte rritur në 5.94 metra, shumë pranë nivelit më të lartë të regjistruar në 1961 prej 6.26 metra.

Top Channel

Read Entire Article