Donald Trump pritet të zgjedhë senatorin e Floridës, Marco Rubio si sekretar shteti duke e bërë atë latinin e parë në histori që do të shërbejë si kryediplomat i SHBA, sapo presidenti i zgjedhur të marrë detyrën në janar.
Rubio po shihet si opsioni më i ashpër në listën e ngushtë të Trump për Sekretar Shteti, megjithëse vitet e fundit ai e ka zbutur gjuhën dhe qëndrimet e tij për politikën e jashtme duke u afruar edhe më shumë me linjën e Trump.
Administrata e re do të përballet me një botë më të paqëndrueshme dhe më të rrezikshme se sa ishte kur Trump mori detyrën në vitin 2017, me luftëra të ndezura në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe Kinën nga ana tjetër e cila është lidhur edhe më ngushtë me armiqtë e SHBA-së.
Rubio, ka thënë në intervistat e fundit se Ukraina duhet të kërkojë një zgjidhje të negociuar me Rusinë në vend që të fokusohet në rifitimin e të gjithë territorit që Rusia ka marrë në dekadën e fundit.
Senatori i Floridës është gjithashtu mbështetës i zjarrtë i Izraelit. Gjatë vitit të fundit ai i ka deklaruar se Tel Avivi nuk ka zgjidhje tjetër veçse të kërkojë shfarosjen e plotë të Hamasit në Gaza.
Rubio njihet për qasje të ashpër në politikën e jashtme, edhe ndaj Kinës dhe Iranit.
Sa i takon rajonit tonë, 53-vjeçari e ka pasur disa herë në fokus gjatë karrierës së tij.
Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij./vizionplus.tv