“Zgjerimi e forcon unionin”, kandidatja për drejtuese e politikës së jashtme Kaja Kallas shpjegon prioritetet

1 day ago 18

Kandidatja për postin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas është zotuar për forcimin e sigurisë dhe zgjerimin e bllokut europian.

Deklaratat, Kallas i bëri në seancën dëgjimore në komisionin  për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili duhet konfirmojë ish- kryeministren e Estonisë për pozicionin e nominuar.

“Zgjerimi i BE-së forcon vetë bllokun, por edhe vendet që synojnë anëtarësimin. Forca tërheqëse e BE-së frymëzon shtetet nga Ballkani Perëndimor e deri tek Evropa Lindore për reforma dhe për angazhim drejt integrimit. Së bashku me Komisionaren për Zgjerim, do të punoj me vullnet që ta bëjmë zgjerimin realitet. Problemet e sotme të fqinjëve tanë do të jenë edhe  problemet tona nesër“, deklaroi Kallas.

Kallas tha gjithashtu se siguria e BE-së lidhet ngushtë me NATO-n, ndërsa theksoi angazhimin e saj për të vazhduar bashkëpunimin transatlantik.

“Sfida kryesore për BE-në dhe aleatët lidhen me qasjen e Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, vende, të cilat, janë duke sfiduar rendin botëror”, shtoi Kallas.

Nëse merr konfirmimin e Komisionit, Kallas do të nisë detyrën si kryediplomate e BE në vend të Josep Borrell, në dhjetor për pesë vitet e ardhshme. Përveç Kosovës, të gjitha vendet e rajonit tonë së bashku me Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Turqia janë kandidate për anëtarësim në BE./vizionplus.tv

Read Entire Article