Një tjetër episod të shtënash masive tronditI SHBA-në një ditë më parë. Agresioni këtë radhë ndodhi gjatë një parade të organizuar pas fitores së kampionatit të futbollit amerikan nga ekipi Kansas City Chiefs.
Një person mbeti i vrarë dhe të paktën 21 të tjerë janë lënduar, 7 prej të cilëve rëndë, kur mbi njerëzit e mbledhur aty u hap zjarr.
Shefja e policisë, Stacey Graves, tha se janë duke hetuar motivin e të shtënave, e pohoi se lidhur me incidentin janë arrestuar tre persona.
Sipas raportimeve, të shtënat ndodhën afër një parkingu ku një turmë e madhe njerëzish ishin mbledhur, teksa lojtarët dhe personeli i ekipit fitues të kampionatit amerikan në futboll, i njohur si Super Bowl, u mblodhën për të festuar fitoren.
“Një tragjedi të tillë, nuk e kemi përjetuar kurrë më parë në qytetin e Kansasit”, tha kryetari i bashkisë, Quinton Lucas, përmes një postimi në platformën X. Ai shtoi se asnjë nga anëtarët e ekipit të futbollit dhe stafit nuk kanë pësuar lëndime.
Kansas City Chiefs po festonin fitoren e tyre të së dielës ndaj San Francisco 49ers, përballja me të cilët ndodhi në Las Vegas. Ky është kampionati i dytë me radhë që City Chiefs fitojnë dhe i treti në pesë sezone. Përmes një deklarate të përbashkët, pjesëtarët e ekipit shprehën keqardhjen e thellë për incidentin e regjistruar gjatë paradës, të cilin e përshkruan si “një akt dhune të pakuptimtë”.
Top Channel