Shpërthim me bombë në një stacion hekurudhor në Pakistan, 25 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur

3 days ago 18

Autoritetet thonë se të paktën 25 persona janë vrarë pasi një bombë shpërtheu në një stacion hekurudhor në provincën Balochistan të Pakistanit.

Dhjetra të tjerë u plagosën nga shpërthimi, i cili ndodhi kur një tren ishte gati të nisej nga stacioni i Quetta në Pakistanin jugperëndimor për në Peshawar.

Një grup militant, Ushtria Çlirimtare e Balochistanit, mori përgjegjësinë për sulmin.

Kohët e fundit ka pasur një rritje të sulmeve vdekjeprurëse në provincë, të nxitur nga kërkesat për pavarësi dhe kontroll mbi burimet lokale.

Komisioneri i qytetit ka thënë se të paktën 25 persona u vranë, duke përfshirë edhe kamikazin, dhe rreth 50 të tjerë u plagosën nga shpërthimi.

Zyrtari i lartë i policisë Muhammad Baloch tha se shpërthimi mendohet të jetë shkaktuar nga një kamikaz që mbante 6-8 kg eksploziv. Mes të vdekurve dhe të plagosurve ishin civilë dhe ushtarakë, tha ai për BBC.

Videot e shpërndara në mediat sociale tregojnë momentin kur ndodhi shpërthimi të shtunën në mëngjes.

Ndër të plagosurit e sjellë në Spitalin Civil ishte edhe Abdul Jabbar. Ai tha se po hynte në stacion, pasi kishte blerë një biletë nga zyra e rezervimeve, kur ndodhi shpërthimi.

“Nuk mund ta përshkruaj tmerrin me të cilin u përballa sot, ishte sikur të kishte ardhur dita e gjykimit”, tha ai.

Në një deklaratë të lëshuar në mediat sociale, grupi tha se kishte në shënjestër një njësi ushtarake pakistaneze që po kthehej nga Quetta pas përfundimit të një kursi trajnimi.

Kryeministri i Balochistanit e quajti aktin të mjerueshëm./vizionplus.tv

Read Entire Article