Në Ditën e Veteranëve, Presidenti Joe Biden vendosi një kurorë me lule të hënën pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur, për të nderuar ushtarët e rënë. Aktiviteti shënoi dhe shfaqjen e tij të parë publike me Nënpresidenten Kamala Harris që nga humbja e saj në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Ceremonia në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, që ndodhen shumë pranë kryeqytetit të vendit, Uashington, shënon gjithashtu edhe herën e parë që zonja Harris shihet në publik që nga fjalimi i 6 nëntorit, kur ajo pranoi humbjen në zgjedhje.
Demokratët, janë përfshirë në debate të brendshme lidhur me arsyet që çuan në humbjen e tyre në zgjedhje. Disa kanë vënë në dukje këmbënguljen e zotit Biden për të kandiduar sërish edhe pse në moshën 81-vjeçare dhe pavarësisht se kishte premtuar për të shërbyer si urë për gjeneratën e ardhshme të udhëheqësve demokratë.
Kritikat ndaj vetë zonjës Harrisit kanë qenë më të heshtura. Zoti Biden e vlerësoi zonjën Harris të enjten e kaluar gjatë një fjalimi televiziv në Shtëpinë e Bardhë.
Më herët të hënën, zoti Biden mikëpriti disa veteranë në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar festën, përpara se të shkonte në varrezat e Arlingtonit.
Ceremonia vjen përpara se Presidenti Biden të presë për një takim të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e zgjedhur Donald Trump.
Zoti Trump ka nisur të përzgjedhë emrat për administratën e tij të re. Ai njoftoi se do të rikthejë një zyrtar të linjës së ashpër mbi emigracionit, Tom Homan, për të shërbyer mbi këtë çështje në nivel kombëtar ndërsa njoftoi emrin e ligjvënëses Elise Stefanik për ambasadore në Kombet e Bashkuara.
Vetë zoti Trump ka pretenduar prej kohësh se është një mbështetës i fortë i ushtrisë amerikane, por kritikët e tij e kanë akuzuar për komente denigruese në drejtim të veteranëve.
Ish-shefi i tij i kabinetit një nga më jetëgjatët në Shtëpinë e Bardhë, gjenerali në pension John Kelly, ka thënë se zoti Trump ka bërë komente përçmuese privatisht ndaj anëtarëve të shërbimit ushtarak amerikan. Sipas zotit Kelly, ish-presidenti i ka përshkruar ata që humbën jetën apo u burgosën duke mbrojtur Amerikën, si “humbës”, krahas komemntesh të tjera.
Vetë zoti Trump i ka hedhur poshtë këto deklarata duke i cilësuar ato si të pavërteta. /VOA/